“Të ngritët niveli i angazhimit, në mënyrë që të menaxhohet sa më mirë kjo pandemi” tha sot Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, një ditë pasi shpalli se situata e pandemisë në vend ishte e rëndë.
Hoti tha se “bashkë me Ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, dhe U.D. të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Saudin Maliqi, vizituam sot Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për t’u informuar rreth situatës dhe masave që po ndërmerren në përballje me pandeminë COVID-19.
I falënderoj të gjithë mjekët infermierët, stafin teknikë, të gjithë ata që janë në përballje me këtë pandemi tash e 8 muaj. I përgëzoj për punën e jashtëzakonshme, profesionale, për dedikimin që kanë pasur, por tash në përballje me valën e dytë, duhet të ngritët niveli i angazhimit, në mënyrë që të menaxhohet sa më mirë kjo pandemi.
Kjo është një situatë praktikisht e luftës, duke u përballur çdo ditë me një rrezik të madh, me viktima.
Kam kërkuar që të rritet efikasiteti në punë, për të përmirësuar shërbimin në Qendrën Klinike dhe nëpër spitalet regjionale ndaj pacientëve, bashkë me nevojën që kemi për të pasur furnizim më të mirë me barna,” ka theksuar kryeministri kosovar.