Tashmë duket se është zyrtare: Konferencat Ndërqeveritare që shënojnë hapjen edhe de fakto të negociatave të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk do të zhvillohen as këtë muaj e as në dhjetor.
Edhe pse ishte parashikuar të mbahet gjatë Presidencës gjermane kjo çështje është shtyrë vitin e ardhshëm e sipas të gjitha gjasave do të zhvillohet në gjysmën e dytë të vitit kur presidencën e ka një vend ballkanik si Sllovenia. Kjo edhe për traditë(vendimet e rëndësishme për Ballkanin janë marrë nga kur presidencën e kanë shtete të rajonit) por edhe për shkak të Pandemisë, si dhe zhvillimeve politike kryesisht në Shqipëri, ku përpara janë zgjedhjet parlamentare.
Kjo u bë e ditur nga konferenca e mbajtur online nga ministri gjerman i Shtetit për Europën, Michael Roth bashkë me homologët e tij nga Portugalia dhe Sllovenia, ku është diskutuar që tre partnerët po punojnë për drejt hapjes së konferencave të para për dy vendet e Ballkanit.
Tre ministrat kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët ku përfshihet pikërisht edhe kjo pikë. “Zgjerimi i BE është një çështje tjetër qendrore e Presidencës Trio. Tre partnerët e BE po punojnë drejt hapjes së konferencave të para për pranimin në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Edhe këtu, cilido vend që mban Presidencën e Këshillit duhet të angazhohet në negociata të vazhdueshme dhe shpesh komplekse për të bërë përparim, veçanërisht për çështjet që kërkojnë kompromis”, thuhet në deklaratë.
Nder çështje te tjera te Agjendës së Presidencës që do të vijojnë të ndiqen nga Portugalia dhe Sllovenia janë: Promovimi i shtetit të së drejtës pran vijimin e dialogut te nisur në 13 tetor, nën presidencën gjermane,”diskutim horizontal” në nivelin e BE-së.
Portugalia dhe Sllovenia kanë njoftuar synimin e tyre për të vazhduar me forcë këtë dialog gjatë presidencave të tyre dhe për të siguruar që çështja të mbetet shumë e lartë në agjendën e tyre.
Presidenca gjermane e BE-së do të pasohet nga Portugalia (gjysma e 1-re e 2021) dhe Sllovenia (gjysma e 2-të e vitit 2021).