BallinaKryesore"Lideri nuk lind ..bëhet “, libri i ri i Iris Halilit, që...

“Lideri nuk lind ..bëhet “, libri i ri i Iris Halilit, që duhet ta keni në bibliotekën personale

spot_img
spot_img

“Lideri nuk lind ..bëhet “. Eshtë ky libri më i ri autores Iris Halili që vjen tek lexuesi përmes Shtëpisë Botuese “Dituria”.
Ky botimi i radhës vjen nga një autore që s’ka nevojë për prezantim, kjo për faktin sepse ajo është shumë e njohur për lexuesin, ka gjurmën në mësimdhënie duke spikatur jo vetëm për profesionalizimin, aftësinë për të zotëruar lëndën që jepte në Fakultet, por dhe përçimin e leksioneve tek studentët me një metodë mësimdhënie perëndimore, kur në Shqipëri ende ecej e ndoshta ndodh akoma me metoda të vjetëruara.
Studentët që patin fatin ta kenë pedagoge sot e kujtojnë shpesh dhe në bisedat mes njëri-tjetërit e madje ruajnë dhe miqësinë me profesoren e tyre.

Aftesia e shkëlqyer menaxhuese, veç dijes që e përvetësonte, do e bente Iris Halilin të kryente me nder dhe profesionalizëm edhe detyra të tjera në disa nga institucionet me rëndësi të shtetit shqiptarë si; Presidenca e Republikës së Shqipërisë, Ministrinë e Brendshme, deri tek një institucion që edhe pse në pamje të parë nuk kishte të bënte me shkollimin e znj.Halili,  ajo fal eksperiencës së fituar mundi të kryejë mëse miri detyrën e ngarkuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Ministrinë e Financave.
Shkollimi ekselent, kualifikimet e kryera në vendin tempull të Demokracisë, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, stili i të shkruarit i fituar fal angazhimit në publicistikë, është një garanci që Iris Halili vjen tek lexuesi shqiptar me një libër te cilin secili prej nesh duhet ta ketë në biliotekën e tij.
Autorja ka qenë dhe është vazhdimisht e angazhuar në publicistikë, me libra vjen vetëm atëherë kur është gati të sjellë të lexuesi një botim që të lë mbresë në fund të leximit. Profesorëshë Halili nuk nxiton,  nuk gabon, por, kur boton godet, siç është rasti i librit “Lideri nuk lind ..bëhet “ një botim që nuk duhet ti mungojë askujt në bibliotekëne  tij personale.




Shënim i shtëpise Botuese “Dituria”

Ky libër vjen në dorën e lexuesit si një përmbledhje esenciale studimesh disavjeçare të autores, të fokusuara veçanërisht në tiparet dhe cilësitë e lindura apo të fituara të liderëve. Në botën e lidershipit, forca e ndjekëseve është e pamat, pasi janë ata që formë-sojnë, fuqizojnë apo shfuqizojnë liderët. E gjithë kjo marrëdhënie lider-ndjekës bazohet në dy parime bazë të shkollës së lidershipit: “Nuk ka lider pa ndjekës” dhe “Nuk mund të ketë lider të mirë me ndjekës të këqij apo anasjelltas”.  Në këtë dinamikë mes palëve, një rol parësor luan kultura që ata përfaqësojnë. Ndonëse fusha e lidershipit është shumë herë e ndërlikuar dhe sfiduese, një përfundim mbetet qëndrestar: Lideri i suksesshëm nuk lind, por behet, pasi ndershmëria, karakteri, dëshira për ndryshim apo empatia, janë cilësi që kultivohen dhe përcaktojnë fatin e vetë liderit apo të ndjekësve të tij.

Pjesë e shkëputur nga libri “Lideri nuk lind ..bëhet”!

“Përpara se të jesh një lider, i gjithë suksesi varet se sa përpiqesh për të përsosur vetveten. Kur bëhesh lider, i gjithë suksesi varet sa arrin të përsosësh të tjerët”! Jack Welch

Parimi fillestar i lidershipit është shumë modest: “Nëse cilësitë e liderit pëlqehen, atë në fillim e imitojnë e më pas e ndjekin”. Vetë fjala “ndjekës” nuk është gjë tjetër veçse rrjedhim i këtij parimi bazë. Në partneritetin unik lider-ndjekës, lideri është ai që ofron modelin, ndërsa ndjekësit janë ata që e pranojnë apo jo këtë model. Lideri karizmatik ka mundësi të hyjë më shpejt e më lehtë në botën e lidershipit, pasi karizma (si një tipar i lindur) është “grepi” në të cilin “bien” të gjithë ndjekësit në fillesë të marrëdhënies. Më tej, që raporti të funksionojë, ndjekësit të shumohen dhe mbështetja e tyre të shkojë në rritje, duhet të jenë aktive shumë veti të tjera të liderit, ku kryesoret janë empatia dhe karakteri i tij, vizioni largpamës dhe i gjerë, komunikimi etik dhe i hapur, dija personale, apo aftësia drejtuese në vendimmarrje (sidomos në kohë krizash), guximi, inteligjenca emotive, këmbëngulja dhe vetëmohimi për të mbajtur premtimet, vetësakrifica, sinqeriteti, ndershmëria, transparenca, thjeshtësia, shërbimi dhe përkushtimi në funksion të ndjekësve, fleksibiliteti, dëshira për të mos reshtur së mësuari e dëgjuari, 12 13 dashuria e shfaqur me vepra dhe, mbi të gjitha, shpirti njerëzor. Vlerat e renditura më sipër, sikurse edhe dhjetëra të tjera që e bëjnë liderin të suksesshëm dhe me të cilat ju do të mund të njiheni në faqet e këtij libri, janë tipare të fituara, jo të lindura. Nëse karizma, pamja e jashtme, mënyra e të folurit apo forma e fjalimeve, buzëqeshja, qëndrimi apo gjuha e trupit, janë cilësi të lindura apo fat natyror, aq më mirë për liderin, por asnjëra prej këtyre cilësive nuk të jep fitoren dhe suksesin përfundimtar në lidership. Ato mund të jenë leva e Arkimedit, por pikat mbështetëse do të jenë gjithmonë cilësitë e fituara gjatë jetës, të cilat mbeten dhe përcaktueset. Kur flasim për sukses përcaktues, duhet të jemi të qartë se ai nuk matet me sa herë është zgjedhur lideri nga ndjekësit për t’i drejtuar, por se çfarë progresi ka ardhur nga ky drejtim. Për të kuptuar këtë, le të ndalemi për një moment te Gjermania e Adolf Hitlerit dhe ajo e Angela Merkelit. Konsiderohet që Hitleri ka qenë një ndër liderët më karizmatikë të historisë së njerëzimit. Fatkeqësisht, ishte po ai që e çoi atë popull drejt një katastrofe që u përhap në gjithë botën. Historia bashkëkohore gjithashtu na rrëfen se kancelarja gjermane, zonja Merkel, ndonëse pa ndonjë karizmë, tepër të dukshme, ka arritur ta futë sot Gjermaninë në rekordet botërore të suksesit, duke e bërë këtë vend, pa dyshim, më të fuqishmin në Europë dhe ndër më të fuqishmit në botë. Sikurse na mëson edhe babai i menaxhimit modern, studiuesi amerikan Peter Drucker: “Lidershipi efektiv nuk ka të bëjë me fjalimet e bukura apo se sa shumë pëlqehet, pasi lidershipi përcaktohet nga rezultatet dhe jo nga atributet e liderit”.
Lideri nuk është Zot, ai është njeri vdekatar dhe, si i tillë, ai shfaq çdo ditë vlera dhe antivlera të racës njerëzore. Si rrjedhojë, është pothuajse e pamundur që lideri të jetë i përsosur në çdo tipar apo cilësi të tijën. Kjo pasi edhe për liderin, sikurse për çdo njeri, gjen vend shprehja e famshme e Leon Tolstoit: “Nuk ka njerëz të mirë apo të këqij, por ka njerëz që janë më shumë të mirë sesa të këqij dhe më shumë të këqij sesa të mirë”. Ashtu si njerëzit, edhe liderët nuk mund të jenë të mahnitshëm në çdo fjalë që thonë dhe të arrirë në çdo veprim që bëjnë, e rëndësishme është që ata të jenë efektivë dhe, sidomos në raste krizash, të marrin vendime pozitive dhe të drejta, që i shërbejnë pikësëpari kauzës njerëzore. Qëllimi parësor i çdo lideri është dhe duhet të jetë lartësimi i ndjekësve, duke propozuar modelin më të arrirë personal, vizionin më sui generis dhe sakrificën më sublime, në shërbim të fitores dhe kauzës më njerëzore. Rruga drejt së mirës nuk është e shtruar paraprakisht apo e lindur bashkë me njeriun, ajo është një rrugë që zbulohet çdo ditë në rrjedhën e jetës, është një rrugë që përshkohet mbështetur në zgjedhjet vetjake, edukimin dhe vetëshërbimin ndaj shpirtit, mendjes e trupit. Kështu bëhet lideri. Besoj që gjatë leximit, ju do të bindeni edhe më tepër për këtë tezë që, në fakt, nuk ishte motivi fillestar i librit. Por ashtu si në çdo proces të shkruari, sa më shumë merrte jetë libri, aq më tepër forcohej ideja se lideri nuk lind, por bëhet. Në përfundim të tij, m’u deshën vetëm pak minuta të vendosja për titullin. Atë tashmë e kishte vendosur qëllimi kryesor që libri kishte marrë krejt natyrshëm.

Rreth autores

“Iris Halili ka përfunduar studimet në Universitetin Grand Canyon ne Shtetet e Bashkuara të Amerikës në programin e Doktoratës për edukim në lidership dhe Zhvillim organizatash si dhe ka mbrojtur Master në shkencën e lidershipit.
Në Shqipëri ka mbaruar me Medalje ari studimet per gjuhe dhe letersi shqipe dhe mbrojtur Master ne studimet evropiane si dhe ka dhënë kontributin e saj si pedagoge e Letërsisë së Huaj, pranë Universitetit te Tiranes – Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë (1995-2006); shefe kabinete e Presidentit të Republikës (2002-2005); këshilltare e Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Brendshme (2006-2007) dhe drejtoreshë e Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Financave, në Drejtorinë e Përgjithshme e Tatimeve (2007-2009).
Prej vitesh është aktive në shtypin shqiptar dhe atë të diasporës.  Nga viti 2009, ajo jeton dhe punon ne Miami Florida, SHBA. Ky është libri i dytë që i vjen lexuesit shqiptar”.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular