Për shumëkënd mbyllja me dështim e operacionit, ‘Forca e Ligjit’, si dhe shpërndarja së shpejti e strukturës aq të bujshme policore, ‘OFL’, është një lajm i papritur.
Por në fakt, nuk është kështu. Kjo strukturë e mbaroi misionin e vërtetë, të cilin e kishim paralajmëruar kohë më parë.
Shumë media shkruajnë se dështoi, pasi nuk arriti që të sekuestronte realisht asnjë pasuri të kriminelëve, të cilëve ju trokiti me qetësi dhe mirësjellje, ‘derë më derë’. Kërkonin të dinin për pronat, asgjë tjetër.
Të tjerë po thonë, se ishte thjesht një nga filmat dhe shfaqjet e Edi Ramës, në kuadër të fushatës së radhës propagandistike në kohë të vështira.
Por siç e thamë më sipër, ky operacion dhe kjo strukturë policore në fakt e ka mbyllur me sukses misionin e vetë të vërtetë; atë që planifikoi me djallëzi dhe largpamësi që në fillim Edi Rama. U harxhuan burime njerëzore dhe financiare, por jo për ligjin. Për ‘Ed Maliqin’
Ky mision ishte kontaktimi, skedimi dhe mbajtja nën kontroll e shantazh politik permanent e krimit legal e ilegal. Në të gjitha shtresat dhe nivelet. Mandej, inventarizimi i pasurive të shumta të tij në të gjithë territorin e Shqipërisë, e madje edhe jashtë.
E gjitha nisi dhe u mbyll, vetëm për qëllime elektorale!
Në datë 27 korrik të këtij viti, nëpërmjet një shënimi me titull, ‘Shpata e OFL, si po ngrihen shtabet elektorale të Ramës me ‘ajkën’ e krimit!’, paralajmëruam këtë skemë. Sot ajo është mbyllur dhe po bëhet gati për zbatim, me rastin e zgjedhjeve të 25 prillit.
Është hera e tretë që Edi Rama aplikon plane të mirë-menduara me krimin, për të fituar zgjedhjet.
Në të parën që e solli në pushtet, përfaqësuesit e botës së nëndheshme, ai i futi në parlament dhe i bëri kryetar të shumë bashkive. Pa llogaritur katapultimet në administratën shtetërore, e cila është kthyer në një çerdhe të të dënuarve jashtë vendit, për trafik e vepra të tjera penale.
Gjithashtu një pjesë të krimit ai e shpërbleu dhe e fuqizoi shumë, nëpërmjet tenderëve dhe punëve publike.
Në skemën e dytë që është ajo e aplikuar për zgjedhjet e vitit 2017, Edi Rama, e kërkoi dhe e morri ndihmën, pas bonusit të madh që ju kishte dhënë duke shndërruar Shqipërinë, 2015-2016, në një parajsë të kultivimit dhe trafikimit të kanabisit dhe të të gjithë llojeve të drogave.
Sot mbylli skemën nr.3 dhe një aleancë të re me krimin e organizuar, e madje edhe atë ordiner.
Kushdo që ka qenë i skeduar brenda dhe jashtë Shqipërisë është vënë përpara zgjedhjes: Ose lufto për një mandat të tretë të Ramës, ose dorëzo pasurinë ‘e zezë’!
Sepse emri të ka dalë edhe në media, në mënyrën më të bujshme!
Produkti i kësaj OFL-je që mund të cilësohet i dështuar nën dritën e një shteti ligjor, por i suksesshëm për synimet elektorale të Edi Ramës, tashmë është gati.
Këtë e dinë shumë mirë drejtorët e policisë në qarqe, që i kanë marrë detyrat e qarta. E tregojnë me fjalë dhe veprime, vetë të skeduarit në çdo qytet, të cilët prej kohësh kanë nisur punën për sigurimin e votave siç dinë ata vetë.
Keqardhje për ata djem dhe vajza të policisë të rekrutuar me bujë në ‘OFL’, sepse u keqpërdorën me maska e filma qesharakë në ERTV. Por si çdo gjë e ideuar nga Edi Rama në emër të së drejtës dhe popullit, edhe ky operacion i bujshëm kundër pasurive të krimit, binte erë që në fillim.
Pra më në 1 Janar 2021, vetëm 4 muaj para ditës kur shqiptarët do të vendosin mes sundimit dhe rotacionit, pazlli mbyllet.
Panorama do të jetë kjo: në krah të shtabeve elektorale të Partisë Socialiste, atyre të biznesmenëve që kanë bërë miliona nëpërmjet punëve me shtetin, kemi edhe shtabet elektorale të kriminelëve. Këta dhe gjithë fuqia e strukturat e shtetit, të gjithë bashkë, kundër frontit Anti-Ramë.
Nëse në skemën e parë për të marrë pushtet në vitin 2013, Edi Rama, i futi përfaqësuesit kryesorë të krimit në parlament, pushtet lokal dhe në administratën e lartë, këtë herë ka zgjedhur që ti vendosë nën rresht për zgjedhjet e ardhshme, duke i shantazhuar me pasurinë.
Një kriminel, njësoj si shtetarët e korruptuar, më shumë se burgun ka merak pasurinë.
Kjo ishte ‘thembra…’ që shënjoi ai; pengmarrja e pasurisë dhe mbajtja nën urdhra e krimit, deri në ditën vendimtare që po afron. Dhe në fakt ja ka dalë.
Të gjithë që morën dhe firmosën një formular u shpëtuan nga sekuestrimi i pronës, por janë të regjistruar dhe nën kontroll e shantazh, deri në 25 prill të vitit tjetër.
Dështimin e OFL e kapërcejmë me një gotë verë, kurse faljen e pasurive të krimit, e kemi në defterin zgjedhor!
Çdo gjë varet tani nga ‘vija e sjelljes zgjedhore’, që ju është caktuar. Duhet të punojnë; Me para, kërcënime, forcë a çdo gjë tjetër. Qytet më qytet, lagje më lagje, fshat më fshat, shtëpi më shtëpi.
Këto ‘shtabe të reja elektorale’ të Rilindjes, tani kontrollohen jo nga prokuroria por nga përfaqësuesit politik të ‘Rilindjes’. Në çdo Qark të vendit, kudo ku ka shkuar formulari i famshëm. Gjithmonë nën mbikëqyrjen e kryepolicit, Ardi Veliu.
Me mbylljen e operacionit ‘OFL’, në fakt kemi një amnisti elektorale të gjithë pasurive të krimit në vend. Ky është nderi, bonusi jetik më i madh që mund tu bëhej kriminelëve që sot e shohin veten si ‘biznesmenët e rinj’ të kapitalizmit shqiptarë.
Nga ana tjetër, me pasuri të skeduara dhe të inventarizuara nga Rilindja, krimi ka mbi kokë gjithmonë një shpatë ndëshkimi, nëse nuk sillen mirë në këto zgjedhje, të cilat Edi Rama po i trajton si gongun e jetës.
Ndaj ‘OFL’ nuk dështoi, por përkundrazi; mbylli me sukses misionin që Rama planifikoi që në fillim!