Për shkak të mosdhënies së provimit të gjuhës gjermane, shumë vetë nuk kryejnë dot bashkimin familjar në Gjermani. Mes tyre renditen edhe persona nga Shqipëria, njofton DW.
Sipas një raporti të revistës gjermane „Spiegel” pamundësia për të dhënë provimin e gjuhës gjermane aktualisht ka bllokuar bashkimin familjar.
Shumë bashkëshorte e bashkëshortë presin të bashkohen me partnerin në Gjermani, shkruan revista e njohur gjermane, dhe agjencia e lajmeve afp, duke iu referuar një përgjigjeje të Ministrisë së Jashtme gjermane pas një kërkese të deputetes të së Majtës, Gökay Akbulut.
Personave të prekur nuk i janë ofruar alternativa të tjera. Testi i gjuhës gjermane është kusht për bashkimin familjar.
Testet e gjuhës gjermane nuk po zhvillohen në 18 vende, mes tyre përmendet edhe Shqipëria, Egjipti, Libani dhe Meksika. Kurse në vende të tjera testi i gjuhës gjermane as nuk ofrohet, 81 vende janë të prekura.
Sipas „Spiegel”, institutet Goethe janë duke u përpjekur aktualisht për ofrimin e provimeve online të gjuhës. Kjo media citon ministrin e shtetit, Niels Annen (SPD) me deklaratën se në këtë drejtim plotësohen standartet në sigurinë kundër fallsifikimeve apo mbrojtjes së të dhënave.
Deputetja e majtë Akbulut kritikoi ashpër qeverinë gjermane. „E drejta e njeriut për familjen duhet të vlejë pa kufizim edhe në kohë pandemie, kërkoi politikanja opozitare e majtë, dhe shtoi se është e papranueshme, që të kërkosh nga bashkëshortët një provë të njohurisë gjuhësore, të cilën ata nuk kanë mundësi ta ofrojnë.