Mjeku i njohur, Edmond Stojku, ishte ditën e sotme në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku zbuloi se ka rezultuar pozitiv me Covid-19 këto dy javët e fundit. Ai zbuloi se e ka kaluar lehtësisht.
“Unë e kalova më lehtë pasi e njoh situatën, por ime shoqe e cila është mjeke gjithashtu reagoi shumë ndryshe. Ditët e para më duhej të merresha me të, se thoshte duhet të ikim jashtë. Por unë e di se çfarë bëhet në Turqi, Itali, SHBA. Sigurisht që e di edhe çfarë bëhet në Shqipëri.
Mundohesha që t’i heqja mendjen nga Covid. I thosha na bëj diçka për të ngrënë, bëja biseda të ndryshme me të, përveç me koronavirusin. E në fakt një gjë e tillë duhet të bëhet jo vetëm tani, por edhe me sëmundjet e tjera”, tregoi Stojku.
Ndërkohë duke folur për koronavirusin, mjeku tha se tani jemi në mesin e pandemisë dhe që do zgjasë dy vite.
“Pandemitë zgjasin të gjitha në 2 vjet derisa të infektohet shumica e popullsisë, që quhet infektim social. Të gjithë do të infektohemi, derisa të krijohet imuniteti i popullatës. Ndërkohë studimet do zgjatin deri në 10 vite”, tha Stojku.
Sipas tij, ka shumë informacione nga të gjitha drejtimet në lidhje me Covid-19 dhe kjo sjell më shumë keqinformim sesa informacion real.
“E kjo bën që mos të jemi të qartë .Të gjithë merren me sëmundjen, të gjithë marrin informacione për Covid dhe kjo sjell kakofoni dhe na çon në situatën më të keqe, psikovirusi, e kjo është me i tmerrshëm se virusi. Unë e kam theksuar gjithmonë se virusi mund të vrasë disa, ndërsa psikovirusi mund të vrasë të gjithë. Frika e madhe e psikovirusit që ndodhi në Lombardi, sot është çështje në gjykatë”, tha mjeku.