Nga Red Varaku
Kryetari i opozitës publikoi mbrëmë në emisionin Opinion mbase skandalin më të rëndë të këtyre njëqind e tetë viteve të egzistencës së shtetit shqiptar.
Ai publikoi nje dokument, i cili dëshmon me shifra dhe me emër dhe mbiemër, që kjo qeveri ka kryer një vepër të rëndë penale, duke mashtruar me vetëdije të plotë opinionin publik me fshehjen e vdekjeve të qytetarëve nga covid-19.
Kjo vetëm me qëllimin e ulët për të fshehur përgjegjësinë e qeverisë dhe dështimin e strategjisë së saj në lidhje me masat që ajo duhet të merrte për të mbrojtur jetën e qytetarëve.
Masa të cilat janë vënë shpesh në shënjestrën e sulmeve të opozitës si korruptive dhe të pamjaftueshme, por që janë kundërshtuar nga qeveria pikërisht përmes shifrave të manipuluara të publikuara nga autoritetet qeveritare të shëndetësisë.
Publikimi i këtij dokumenti, që provon fshehjen e rreth 601 vdekjeve me emër dhe mbiemër, nga ana e autoriteteve qeveritare, dëshmon që jemi përballë jo vetëm një skandali, por një krimi të mirëfilltë që tregon se për t’i ikur përgjegjësisë dhe për të fshehur dështimin e saj, kjo qeveri dhe ky kryeministër nuk kursen as të vdekurit.
Ky dokument dëshmon qartë që fatkeqësisht ai që ne konsiderojmë si garant për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit tonë, të prindërve tanë dhe fëmijëve tanë, është në fakt ai që me jetën dhe shëndetin tonë bën para dhe politikë njëkohësisht.
Publikimi i këtij dokumenti ishte një goditje fatale nga ana e kryetarit të opozitës mu në zemër të propagandës dhe mashtrimit me pandeminë, e cila e rrëzon përtokë dhe në mënyrë të pamëshirshme mashtrimin e deritanishëm të qeverisë .
Një goditje e cila prej mbrëmë ka çuar në knockdown të gjithë qeverinë dhe propagandistët e saj, të cilët nga dje janë fshehur skutave dhe kanë heshtur si fija e barit.
Heshtja nga ana e autoriteteve qeveritare, të cilët mund ta përgënjeshtronin fare thjeshtë këtë gjë që mbrëmë thjesht me anë të fotove të librit të morgut, e bën edhe më të dyshimtë atë që fsheh në të vërtetë ky skandal.
Gjithsesi, ajo që është e rëndësishme është fakti që nga mbrëmë, nuk ka më dyshim që të gjithë e kanë të qartë se çfarë është në gjendje të bëjë kjo qeveri për të fshehur dështimin e saj.
Të gjithë e kanë të qartë që kjo qeveri jo vetëm ka dështuar plotësisht në lidhje me menaxhimin e pandemisë, por e ka përdorur atë gjatë gjithë kësaj kohe në mënyrë krejt të papërgjegjshme dhe të pacipë për të bërë politikë me vdekjen.