BallinaKryesoreKazani i FMN që dogji fabulën e rindërtimit

Kazani i FMN që dogji fabulën e rindërtimit

spot_img
spot_img

Pak ditë më parë, një vjetori i tragjedisë së rëndë të 26 nëntorit, pati si epilog ndeshjen mes propogandistëve dhe kritikëve të procesit të rindërtimit. Kryeministri, ministrat , mbështetësit e tyre, pomponin shtëpitë e ringritura, projektet 3D të lagjeve të reja dhe nuk linin pa nxjerrë në plan të parë ndonjë sharlatan që s’kishte turp të thoshte: “falë zotit, tërmeti ra në kohën e Edi Ramës”.

Nga ana tjetër, opozita dhe mjaft ekspertë të pavarur flisnin për mosmbajtjen e premtimeve se të gjitha shkollat do të ishin gati që në shtator, se në fund të këtij viti të gjithë ata që humbën shtëpitë do të ristrehoeshin, pra për dështimin e slloganit, se askush nuk do ndihej kurrë vetëm.

Në fakt, dita e një vjetorit të kësaj fatkeqësie, ishte vetëm kulmimi i një fushate që zgjat prej muajsh. Përgjatë saj, propaganda e qeverisë shfaqej me varganë hudhrash e me torta në duar, për të reklamuar shtëpitë e rindërtuara, ndërsa PD trokiste tek njerëzit e zhgënjyer të mbetur në çadra, apo te ata që ende nuk kanë marrë kompensimin që u takon.

E gjithë kjo betejë e stërgjatur mbetej e reduktuar në shembuj episodikë për një arsye të thjeshtë. Për shkakun e vetëm se qeveria ruante me fanatizmin e sekretit të kodit bërthamor, shifrat e realizimeve të buxhetit për procesin e rindërtimit. Ajo tentonte tu hidhte hi syve shqiptarëve me ndonjë kronikë mashtruese në televizione, pa dhënë llogari për bilancin real se sa para ka arritur të shpenzojë në këtë proces.

Shumë demonstrative për të kuptuar këtë është rishikimi i një debati të Edi Ramës me gazetarët, në 15 tetor në “Opinion”.

Armand Shkullaku e pyeti disa herë se përse ministria e Financave e mbante të fshehur shifrën e realizimeve të ulëta. Kolegia Fatjona Medini këmbënguli në detyrimin e kryeministrit për të bërë transparencë për këtë çështje të rëndësishme (shiko videon).

Por, me paturpësinë e atij që ka dështuar, Edi Rama filloi të bëjë ironi dhe të dredhojë pa dhënë një përgjigje.

Shifrat që kryeministri fshehu një muaj e gjysëm më parë, ne i kemi sot falë raportit të fundit të FMN-së. Ajo që zbulohet është katastrofike. Deri në muajin shtator, qeveria kishte arritur të realizonte vetëm 8% të fondit buxhetor që pati parashikuar vetë. Pra një pjesë fare minimale (22 milionë euro) nga 270 milionë që kishte paraparë në buxhet

Mjafton kjo shifër për të kuptuar se përse ky dështim ruhhej me fanatizmin e një sekreti shtetëror dhe se përse Rama luante teatër në “Opinion” kur pyetej nga Medini dhe Shkullaku.

Por mbi të gjitha, ajo që na plasi përpara syve Fondi Monetar Ndërkombëtar është fakti se historia që nisi me slloganin “ti nuk do të jesh kurrrë vetëm”, po rezulton një dështim spektakolar.

Qeveria, dhe administrata e drejtuar prej saj po rezultojnë të pa fuqishme dhe të pa afta në qëllimin kryesor që ata i kanë vënë vetes: procesin e rindërtimit.

Dhe këtu më e rëndësishme sesa pyetja se përse detyrohen të gënjejnë, është një tjetër: si ka mundësi që nuk i’a dalin dot në një çështje që e kanë shpallur si prioritet.

Ndryshe nga opozita dhe shumë kritikë të Ramës që e paraqesin këtë dështim si pasojë të një lideri të pashpirt që nuk merakoset për ata që kanë mbetur në çadra, si një lënie pas dore për tu marrë me tenderat fitimprurës dhe orekset e oligarkëve, ndoshta kjo disfatë i ka rrënjët më thellë.

Eshtë e vështirë të besosh se Edi Rama nuk e ka pasur prioritet rindërtimin. Eshtë po ashtu absurde të mendosh se ai nuk ka këmbëngulur për një efikasitet shumë herë më të lartë se ai 8% që tregoi FMN-ja, për këtë kauzë që donte ta kthente në flamurin e fushatës së ardhshme elektorale.

Edhe dëshmitë shkojnë në këtë drejtim. Edi Rama çirret dhe i ulëret pa pushim vartësave që merren me këtë çështje. Madje njerëzit pranë tij tregojnë edhe anekdoda se si ai ka instaluar një kamerë në kantierin e Thumanës, nga ku kontrollon vetë se si po ecin punimet.

Por, pavarësisht këtyre, piramida e ngritur prej tij ka dështuar dhe nuk ka treguar dot as efikasitetin më minimal.

Dhe arsyeja është e thjeshtë, sepse për dy mandate me radhë, rilindja ngriti një këmbë një makineri shtetërore, karburanti i vetëm për mirëfunksionimin e së cilës ishte korrupsioni. Pa pasur interes okult privat, si nxjerrja e 14 vendimeve të qeverisë brenda një dite për inceneratorët, ky mekanizëm nuk vihet dot në punë. Ai prej kohësh është programuar për të ndarë fitime të ndyra, por aspak për punë pa leverdi private, rindërtime shtëpish për hallexhinjtë, apo objektiva që kanë të bëjnë me të mirën publike.

Pikërisht për këtë Rama ka dështuar me rindërtimin të cilin donte me ç’do kusht ta përdorte si histori suksesi. Ai nuk mund të akuzohet se nuk ka dashur, por thjeshtë se qëndron në krye të një piramide që e ka të pamundur. Se ka ngritur një mekanizëm, i cili që në start nuk është dizenjuar për arritjen e objektivave të tillë.

Prandaj dhe fakti se kjo qeveri dhe kjo administratë nuk arrin dot të realizojë me rindërtimin as një të dhjetën e atyre që ka marrë përsipër vetë, nuk ka pse të na çudisë.

Dështimi qe fati i paracaktuar i saj. Ishte ai që e detyroi Ramën të mbysë sekretin me propagandë dhe të bënte teatër me gazetarët, deri sa një tjetër “kazan”, ai i FMN-së, i plasi në sy të vërtetën.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular