Nuk është një sfidë si gjithë të tjerat, nuk është as ndeshja e radhës, por është ndeshja më e rëndësishme e sezonit, është derbi i kryeqytetit. Tirana dhe Partizani luajnë pas pak, në 18:00, në “Air Albania” aktin e parë, përballja e parë këtë vit, e cila fatkeqësisht do të luhet pa tifozë, pa pjesën më të bukur të këtij takimi historik. Ndryshe nga se pritej, Partizani vjen në këtë sfidë si favoritë, jo vetëm për faktin që janë kryesues, por të kuqtë vijnë pas katër ndeshjeve radhazi, pesë nëse përfshijmë edhe sfidën e Kupës, ku nuk njohin humbje e nuk kanë pësuar asnjë gol. Vetëm në dy ndeshjet e fundit ekipi i Ilir Dajës ka shënuar shtatë gola. Të gjithë këto faktorë i bëjnë të kuqtë favoritë, atmosfera është po ashtu pozitive teksa të gjithë lojtarët janë në dispozicion, përjashto Braun, i prekur nga COVID-19.
Diskutimi është ndryshe kur bëhet fjalë për Tiranën, të prekur nga kriza, ajo sportive, teksa nuk njohin fitore që nga sfida e parë e sezonit kundër Kukësit. Pesë pikë në pesë javë nuk janë shifra për një ekip kampion në fuqi, derbi i gjen në momentin më delikat por gjithashtu është një mundësi e artë për ti dhënë sezonin një kthesë të fortë, gjithnjë nëse arrijnë të mposhtin Partizanin.