Të rinjtë e FRPD-së kanë zhvilluar një marshim – protestë nga Ministria e Brendshme drejt Kryeministrisë.
Protestuesit u shprehën se duhet drejtësi për Klodjanin, duke shtuar se kjo është qeveri e krimit.
“Ju jeni vrasës. Drejtësi për Klodjanin. Jep dorëheqjen. Rama ik. Kjo është qeveri e krimit”, thanë demonstruesit.
Raportohet se FRPD po zhvillon një marshim-protestë, teksa të rinjtë e Forumit Rinor të PD-së akuzojnë Ministrinë e Brendshme, Shtetin Shqiptar për vrasjen e 25-vjeçarit Klodjan Rasha.
“Ne protestojmë për dorëheqjen e menjëhershme të Sandër Lleshaj. Të vendoset drejtësia për këtë rast makabër. Është bërë tani që mos të dalim më me maska, por me antiplumb, që mos na vrasë Policia e Shtetit.
Në Amerikë, u vra një afro-afrikan dhe u protestua. Tani vritet shqiptari në derë të shtëpisë dhe kjo është turp. Kushdo që e ndjen veten shqiptar, të sensibilizohen me këtë protestë dhe jo vetëm, që të shikojnë nga vendi i tyre”, deklaroi një protestues.
Një protestuese deklaroi se Shqipëria sot jeton në një komunizëm të moderuar. Ajo shtoi se të gjithë të rinjtë duhet të kërkojnë drejtësi për Klodjanin.
Kreu i FRPD-së Belind Këlliçi tha se indinjata për rastin është e qartë. Ai shtoi se ndërkohë që shqiptarët vdesin rrugëve, Rama ka ikur në SHBA.
“Rama ka ikur në Amerikë, ndërsa shqiptarët vdesin. Sandër Lleshaj është kriminel. Ai ka thënë se prapa sjelljes së policit është ai. Ky njeri që arrestoi artistët, ky plehrë, kush mban përgjegjësi për vrasjen e 25-vjeçarin?
Kjo që ka ndodhur dje është kriminale. Të bëhemi të gjithë bashkë për të reaguar. Kjo e keqe që na ka kapur për fyti duhet të mbarojë. Turp t’i vijë qeverisë, turp t’i vijë ministrit të Brendshëm dhe turp për kryeministrin, që nuk tha një fjalë për rastin”, deklaroi Këlliçi.