Policia e Tiranës ka vënë në pranga 3 persona për protestën e zhvilluar një ditë me parë në kryeqytet, pas vrasjes nga një efektiv policie të 25-vjeçarit Klodian Rasha.
Raportohet se është arrestuar Robert Poshnjari, Altin Koçi dhe Vilson Kulemani si dhe janë shpallur në kërkim Akimed Lusha, Darvin Zalla, Arbër Koka, Klint Lamaj, Admiral Rama, Din Dogjani, Blerim Hoti dhe i mituri me iniciale F.B.
Sipas policisë, këta shtetas ditën e djeshme, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, duke kundërshtuar me dhunë dhe goditur me sende të forta punonjësit e policisë si dhe në vende të ndryshme kanë shkatërruar pronën shtetërore dhe atë private.
Gjithashtu, shton policia, kanë qëlluar herë pas herë në drejtim të forcave të Policisë, me sende të forta ,lëndë piroteknike duke lënduar 16 punonjës policie në detyrë. Punonjësit e lënduar janë efektivë të Patrullave të Përgjithshme dhe të forcës së ndërhyrjes së shpejtë. Si dhe kanë thyer me gurë disa automjete të policisë.
Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të dyshuar për pjesëmarrjen në këtë tubim dhe për kryerjen e veprimeve te kundërligjshme .
Policia e Shtetit apelon për respektim në maksimum të masave kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, si dhe u bën thirrje qytetarëve që problematiken dhe shqetësimin që kanë ta adresojnë pranë institucioneve dhe organeve kompetente, pa krijuar grumbullime, pasi grumbullimet dhe tubimet janë në shkelje të Aktit Normativ për parandalimin e pandemisë COVID -19.
Njëkohësisht Policia u bën thirrje qytetarëve që të mos bëhen pjesë e protestave të paligjshme, pasi do të marrë masa dhe nuk do lejojë të zhvillohen protesta të tilla, ndërsa organizatorët dhe pjesëmarrësit do të përballen me forcën e ligjit.