BallinaAktualitetRevolta e Qazim Rashës: Klodianin ma vranë sërish, me paramendim

Revolta e Qazim Rashës: Klodianin ma vranë sërish, me paramendim

spot_img
spot_img

Në mes të protestave dhe debatit, del një vendim qeverie që e cilëson vrasjen e 25-vjeçarit nga policia, si vdekje aksidentale. Reagon ashpër i ati Qazim Rasha, duke thënë se kjo është një vrasje e dytë, me paramendim. Ndërkohë protestat kanë vijuar dhe dje, ndonëse me pjesëmarrje më të pakët. Policia nuk është mjaftuar vetëm me shoqërimet e protestuesve, por ka filluar dhe kontrollin e profileve të njerëzve në rrjetet sociale. Gazetarja Desada Meta dhe aktivisti Genc Sejko janë thirrur në komisariat për sqarime, me akuzën se kanë bërë thirrje për tubime të paligjshme në Facebook.

Qazim Rasha, babai i 25-vjeçarit Klodian Rasha që humbi jetën nga plumbat e policisë në mëngjesin e 8 dhjetorit, e ka konsideruar një vrasje të dytë manipulimin që po tenton të bëjë qeveria me vdekjen e djalit të tij. Në një dalje për ABC News, zoti Rasha thotë se ajo ishte një vrasje me paramendim dhe jo “vdekje aksidentale” siç kërkon ta përkufizojë qeveria. Sipas tij ky nuk është një version i ngjarjes, por një devijim nga e vërteta dhe për këtë nuk ka asnjë lloj alibie.

Një vendim i qeverisë, që mban firmën e Kryeministrit sanksionon një pension për familjen e të ndjerit në masën e rreth 62-63 mijë lekëve në muaj, ose tetëfishin e pensionit social, pasi për qeverinë ka gjetur vdekjen aksidentalisht. Ndërkohë që për këtë çështje jo vetëm që nuk janë mbyllur ende hetimet, por po vijojnë prej gjashtë ditësh protesta që kanë përfshirë të gjithë vendin.

Deklarata e Qazim Rashës

Por babai i të ndjerit nuk është dakord me këtë version. I drobitur nga vdekja e të birit, Qazim Rasha në një lidhje telefonike thotë se nuk është pensioni ai që i intereson por dhimbja për humbjen e djalit që po e mbyt. Për sa i përket cilësimit që i bën qeveria Rasha thotë se, ajo ishte një vrasje dhe kjo që po ndodh po ia vret për së dyti Klodianin.

“Ajo nuk është version, ajo është devijim nga gjithçka dhe ajo është një vrasje për së dyti. Vrasje e dytë. Ajo është vrasje me paramendim. Vrasje me paramendim. Vrasje me paramendim. Dhe nuk ka asnjë lloj alibie. Çdo gjë është e monitoruar. Çdo gjë është e zbardhur, çdo gjë është e vëzhguar, janë gjithçka. Është një rrugicë non stop, mund të jenë 30 kamera që janë në qendër të asaj rrugice. Edhe si do që të jetë puna, vetëm nëse devijohet gjithçka nga linja se nuk ka asnjë lloj kuptimi tjetër”.

Nga ana tjetër duket se zoti Rasha, i pyetur në lidhje me protestat që kanë shpërthyer, thotë se çdo njeri bën ashtu si e ndjen. “Njeriu atë që ndjen e shpreh vetë dhe unë nuk mund të shpreh asgjë më tepër përveç dhimbjes që kam për djalin tim, dhimbja është e djalit tim, familjes sime, pjesë e dhimbjes je edhe ti, edhe ata, gjithkush merr pjesë. Ju lutem, ju lutem, ju lutem” thotë ai. Nga ana tjetër, Qazim Rasha nuk është dakord as me pendesën që ka shprehur në gjykatë Nevaldo Hajdari, polici që shtiu mbi të riun duke e konsideruar atë thjesht një fasadë.

“Ajo është një fasadë. Është thjesht fasadë dhe nuk ka fije kuptimi. Një person, sado edhe me çrregullime mendore, këtë lloj vulgariteti nuk arrin dot që ta mendojë, ta imagjinojë, jo ta vendosë në zbatim. Një punonjës shteti, një punonjës policie, një punonjës rendi që është i detyruar për të ruajtur jetën time, fëmijës tim, fëmijës tënd, ne kërkojmë mbrojtje dhe solidaritet nga cilido. Nëse bëj një gabim unë marr dënimin, fajin që kam, por jo të ndëshkohet me gjenocid, makabritet, me vulgaritet, është bastarde”, thotë Rasha.

Policia fillon gjuetinë dhe në rrjetet sociale

E hëna e djeshme do të shënonte dhe ditën e gjashtë të protestave ku duhet theksuar se pjesëmarrja ishte më e pakët, por zhvillimi i saj mori përmasa mjaft simbolike për shkak të represionit që po i shkaktohet çdo individi që merr pjesë në to. Policia, e cila deri më tani i është përgjigjur me egërsi të pazakontë protestave, ka shoqëruar në komisariat më shumë se 200 persona, shumica të mitur dhe jo vetëm kaq. Një gjueti ka filluar dhe ndaj personave publikë ose jo në profilet e tyre në rrjetet sociale. Dy të tilla janë raportuar vetëm dje njëra nga ana e gazetares Desada Metaj dhe tjetri nga ai që quhet njeriu i memeve Genc Sejko.

Të dy këtyre u ka shkuar në shtëpi inspektori i zonës, ku i ka lajmëruar të paraqiten në komisariat për arsye se kanë bërë thirrje për grumbullime të paligjshme. Ja se çfarë shkruan në profilin e saj gazetarja Desada Metaj. “Sot (dje) rreth orës 14.00, Edison Visha, i plotfuqishmi i lagjes time (pranë presidencës) ka mbërritur pranë banesës së prindërve të mi dhe u ka kërkuar që të paraqitem pranë komisariatit nr. 2 sepse do më pyesnin lidhur me thirrjet për protestë të paligjshme. Meqë nuk kam qenë në shtëpi në atë orë, ka lënë një numër telefoni me të cilin kontaktova sapo prindërit më njoftuan.

Nga ana tjetër e telefonit m’u përgjigj shefi i krimeve të rajonit nr. 2 Ledio Lushka që më kërkoi të shkoja në komisariat. Sipas tij duhej të më pyeste për diçka që s’mund ta bënte në telefon. Meqë unë besoj ende se shteti funksionon me letra dhe jo me FB, i kërkova të më dërgonte një ftesë zyrtare për t’u paraqitur në komisariat. Gjatë këtyre ditëve thjesht kam komentuar ngjarjet në FB tim personal dhe më vjen mirë që veç drurit, forcat Shqiponja dhe disa segmente të policisë paskan patur dhe mendje dhe kohë për të më ndjekur. Për çdo rast ky provokim qesharak në dhimbje as më tremb dhe as më ligështon.

Madje as familjen time që thjesht tallen me këtë akt qesharak. Personalisht më dhimbsen këta mercenarë të pushtetit se ç’janë në gjendje të bëjnë për t’i treguar shef Ardit se janë të zellshëm. Për fat të keq nuk kam qenë në asnjë proteste të ditëve të fundit. Por vazhdoj të mbështes çdo formë proteste kundër regjimeve policore”, shkruan Metaj. Ndërsa Genc Sejko, ka postuar në foto mesazhin e mbërritur nga policia me mbishkrimin “Fytyra e shtetit policor”./MAPO

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular