Kina ka punuar në mënyrë të qëndrueshme me Organizatën Botërore të Shëndetësisë për gjurmimin e origjinës së koronavirusit, njoftoi Ministria e Jashtme kineze. “Kina është e gatshme të përmirësojë bashkëpunimin e saj me OBSH për të çuar përpara përpjekjet globale të gjurmimit dhe për të kontribuar me pjesën tonë në fitoren tonë të hershme kundër pandemisë”, -tha zëdhënësi i ministrisë Wang Wenbin, në një konferencë për shtyp, shkruan “CGTN”.
Babatunde Olowokure, drejtori rajonal i emergjencave të OBSH-së në Paqësorin Perëndimor, tha se ata po diskutojnë me Kinën në lidhje me ekipin ndërkombëtar dhe vendet që vizitojnë. “Kuptimi ynë në këtë kohë është se Kina po e mirëpret ekipin ndërkombëtar dhe vizitën e tyre. Kjo pritet, për sa jemi të vetëdijshëm, të ndodhë në fillim të janarit 2021”, -deklaroi ai një konferencë shtypi. Olowokure tha se koha e saktë e udhëtimit do të varet nga marrja e rezultateve të disa testeve të tjera që janë kryer fillimisht.
Që nga shpërthimi i Covid-19 në janar, OBSH-ja ka dërguar dy herë shkencëtarë në Kinë në një përpjekje për të gjetur origjinën e virusit, së pari në shkurt dhe më pas në korrik. Megjithëse virusi u raportua për herë të parë në një treg të prodhimeve të detit në Wuhan të Kinës, ekziston një konsensus shkencor në rritje që virusi nuk e ka origjinën atje. (Irma)