Shumë njerëz në botë që jetojnë në izolim për shkak të pandemisë, ëndërrojnë ta festojnë jetën e natës si banorët e Wuhanit. Të rinjtë atje po i frekuentojnë klubet e baret pa nevojën e maskave, dhe po konsumojnë të lirë gatimet tradicionale.
Qyteti kinez ishte epiqendra fillestare ku u zbulua Covidi-19, por 7 muaj pas daljes nga një prej karantinave më strikte në botë, zona është rigjallëruar.
Këtë situatë e pret edhe pjesën tjetër të botës në vitin 2021, kur shumica shpresohet se do të mund të ketë edhe vaksinën kundër koronavirusit.
“Gjatë kohës së epidemisë, Wuhani u bë një qytet i vdekur. Tani të gjithë po dalin e dëfrehen, ndryshe nga më parë,” tregon një vajzë e re e qytetit.
Këtë vit, qyteti industrial me 11 milionë banorë u izolua nga pjesa tjetër e vendit duke i mbyllur të gjitha rrugët e tij lidhëse.
Rreth 3,900 nga mbi 4,600 viktimat e Covidit-19 në Kinë u raportuan pikërisht në Wuhan, por që prej fillimit të muajit maj, qyteti nuk ka regjistruar asnjë rast të ri.
Ekonomia është ende në fazën e rikuperimit të dëmeve si pasojë e mbylljes së fillimvitit, sidomos hotelet dhe restorantet.
Kjo periudhë lirie po shfrytëzohet për të zbuluar edhe bizneset më të veçanta të natës.
“Më duket sikur më është dhënë një jetë e dytë dhe dua ta shfrytëzoj këtë kohë, sepse nuk i dihet kur mund të marrë fund,” shprehet një tjetër banore e qytetit kinez.