Ministri i Drejtësisë në Kosovë, Selim Selimi, është gjobitur pasi nuk ka respektuar orën policore. Selimi është kapur duke lëvizur jashtë orarit të përcaktuar nga qeveria kosovare.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë ministri në një postim në “Facebook”. Selimi thekson se do ta paguajë dënimin. Ministri i Drejtësisë pohoi se Kosova ka një polici të respektuar dhe dënimi i shqiptuar ndaj tij dëshmon se në shtetin tonë askush nuk është mbi ligjin.
“Është i vërtetë lajmi që sot jam dënuar për thyerje të masave qeveritare për pandeminë. Edhe pse sipas pikës 25.1 të vendimit për masa për mbrojtjen nga pandemia COVID-19, nga kufizimi i lëvizjes pas orës 19:00 janë të përjashtuar personeli i drejtësisë, kam pranuar ta paguaj dënimin, për shkak të sjelljes profesionale të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, Gentianit dhe ekipit të tij”, ka shkruar Selimi.
Nga ana tjetër kujtojmë që Qeveria e Kosovës ka vendosur që të kufizojë lirinë e lëvizjes në Prishtinë nga ora 19:00 deri në ora 05:00 si masë parandaluese për përhapjen e Covid-19.