Një ditë më parë ndodhi një ngjarje që tronditi opinionin publik. Një djalë 7-vjeçar qëlloi për vdekje babanë e tij teksa luante bilardo.
I vdekur mbeti efektivi i FNSH-së, Roland Bicerri, i cili u vra aksidentalisht nga i biri, i cili i ka marrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar .
Për mikrofonin e “Shqipëria Live” kanë folur disa prej miqve dhe të afërmve të të ndjerit, të cilët janë tronditur nga kjo ngjarje e rëndë.
“E kam djalin e dajës. E morëm vesh nga mediat. Sikur e kishte bërë Zoti për vete, na ka lënë një dhimbje të madhe. Një ditë më parë e takova, pimë një kafe në Sauk. Puna e tillë ishte, por nuk e di a e mbante gjithmonë armën me vete”, tha i afërmi i Bicerrit.
Ndërkohë një fqinj tregon se sa ishte ndarë me të, kur shkoi në shtëpi dhe mori lajmin e keq.
“Sapo u ndamë me të. Sapo u largova për në shtëpi, erdhi lajmi i kobshëm për vdekjen aksidentale. E mbante gjithmonë me vete djalin. Edhe dje e kishte me vete, i vendosi karrigen aty. E kishte pikë të dobët. Ai ka dy fëmijë, vajzën dhe djalin. Djalit i duhet një psikolog, por jo vetëm atij, edhe familjes”, tha ai.
Ndërkohë një tjetër shton: “E njohim për një njeri familjar, të rregullt dhe të sjellshëm. Shpeshherë vinte civil, jo i armatosur. Deri në 1.20 kam qenë aty kur e pashë kur shkoi të luante bilardo dhe la gjërat aty. Në orën 1.25 ka ndodhur ngjarja. Instinkti i fëmijës që hap gjërat dhe ndodhi ajo që ndodhi. Unë jam akoma i traumatizuar”. Gazeta Shqip