Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në ujërat e Nigerisë pasi është rrëmbyer ekuipazhi i anijes shqiptare STEVIA.
Nga burimet zbulohet se anija ka flamur kamerunas dhe është regjistruar në shtetin e Kamerunit. Pronari është shqiptar dhe anijen e ka blerë nga një armator bullgar në pranverën e këtij viti. Anija punon me çarterim për kompani të huaja tregtare.
Në rrugën e fundit ajo ishte ngarkuar me mallra në Kamerun me destinacion portin e Lagos. Kur gjendej në radën e jashtme të këtij porti ka rënë pre e piratëve nigerian të cilët nuk kanë rrëmbyer anijen por kanë mbajtur peng 8 pjesëtarë të anijes. Janë 6 ukrainas dhe 2 shqiptarë. Piratët kërkojnë para që të lenë të lirë marinarët.
Burime nga kapitenaria e portit të Durrësit bëjnë me dije se në bazë të ligjeve të detit dhe konventave detare është shteti bullgar dhe ai kamerunas që kanë të drejtë të ndërhyjnë për lirimin e marinarëve.