Dy javë pas ekzekutimit të punonjësit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës, Policia në bashkëpunim me Prokurorinë kanë arritur të zbardhin ngjarjen, duke arrestuar njërin nga autorët e dyshuar, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, u bë i mundur sigurimi i provave për autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje dhe ata janë shtetasit Nikoll Sherrniku, 26 vjeç dhe shtetasi Brilant Martinaj, që të dy banues në zonën e Kurbinit.
Policia bëri kapjen dhe ndalimin e shtetasit Nikoll Sherrniku, ndaj të cilit Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtje pa leje”. Po në lidhje më këtë ngjarje është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe bashkautori tjetër i dyshuar, shtetasi Brilant Martinaj, 21 vjeç, ku në bashkëpunim me homologët vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij. Nga tërësia e veprimeve dyshohet se shtetasit e lartpërmendur kanë qëlluar me armë zjarri efektivin e Policisë Xhulio Prela pas një konflikti të çastit. Shkak i konfliktit dyshohet se janë bërë dritat e gjata të makinës, por mbetet e paqartë si ka nisur debati mes tyre që çoi deri në vrasjen e Prelës.
ZBARDHJA E NGJARJES
Sipas burimeve nga grupi hetimor bëhet e ditur se zbardhja e ngjarjes është bërë pas identifikimit të targës së automjetit me të cilin kanë lëvizur autorët e dyshuar të vrasjes. Makina është filmuar nga kamerat e sigurisë të një karburanti pak metra larg vendit ku ndodhi ngjarja. Pas analizimit të pamjeve filmike hetuesit kanë arritur të identifikojnë targën e makinës, e cila ishte në pronësi të një shtetasi nga Kruja. Ai është marrë menjëherë në pyetje, por kishte deklaruar se makinën ia kishte shitur Nikoll Sherrnikut, por ky i fundit nuk ia kishte ndërruar ende pronësinë.
Sipas burimeve, ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë së karburantit dhe duket se njëri nga mjetet ka shkëmbyer drita dhe më pas viktima, i cili po lëvizte në drejtim të Tiranës, është kthyer sërish për në drejtim të Lezhës. Në afërsi të karburantit është ndaluar dhe aty dyshohet se është konfliktuar me autorët dhe më pas njëri prej tyre e ka qëlluar me armë zjarri pistoletë me një plumb, i cili e ka prekur në zemër. Në ato momente 26- vjeçari Xhulio Prela i ka dhënë gaz makinës dhe në largim është qëlluar dhe dy herë të tjera me armë dhe më pas makina ka përfunduar në një kanal rreth 300 metra larg vendit ku është qëlluar.
VENDI I NGJARJES
Efektivi i FNSH-së, Xhulio Prela, po kthehej nga qyteti i Shkodrës, ku në superstradën Lezhë-Milot, në orët e para të mëngjesit të datës 5 dhjetor u qëllua për vdekje. 26-vjeçari doli rreth mesnatës nga banesa e tij në Tiranë për të shkuar në drejtim të aeroportit të Rinasit nga ku do të merrte një mikun e tij që kthehej nga Anglia për ta dërguar në një fshat të Shkodrës.
Edhe pse në Shkodër Prelën e lutën për të qëndruar, ai nuk pranoi. Në kthim, 26-vjeçari u ekzekutua pas konfliktit për motive të dobëta. Fillimisht pati dyshime të një aksidenti të mundshëm, pasi mjeti u gjet në një kanal në afërsi të superstradës, por pas këqyrjes së vendit u zbulua se ai ishte vrarë. Grupi hetimor ka hasur vështirësi në fillim me hetimet, pasi 26-vjeçari nuk njihej si njeri problematik, jo vetëm në shoqëri, por edhe në rrethin e punës. Xhulio Prela ishte student në vitin e tretë në Akademinë e Sigurisë në Tiranë, ndërsa kishte një eksperiencë 5-vjeçare punë në Policinë e Shtetit./Panorama