BallinaAktualitetEmrat e gjykatësve/ Kush i kontrollon balancat në Gjykatën Kushtetuese

Emrat e gjykatësve/ Kush i kontrollon balancat në Gjykatën Kushtetuese

spot_img
spot_img

Me zgjedhjen që bëri këtë të mërkurë, presidenti Ilir Meta, Gjykata Kushtetuese arriti në 6 anëtarë dhe konsiderohet funksionale, pasi tashmë ka kuorumin e duhur për të marrë vendime. Emërimi i anëtarëve të Kushtetueses ka kaluar përmes një procesi të komplikuar ku luhej edhe në prapaskenë, ku secila palë politike tentoi të krijojë mbështetje në vendimmarrje.

Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. Tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë.

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese qëndrojnë në detyrë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi.

Por cilët janë emrat e gjykatësve të Kushtetueses të zgjedhur deri tani?

1. Vitore Tusha

Vitore Tusha është e vetmja që ia doli të kalojë vetingun nga trupa e sistemit të mëparshëm të drejtësisë. Prej 12 vitesh ajo është anëtare e Gjykatës Kushtetuese ndërsa njihet si gjyqtarja që ka shpallur jokushtetuese çështje me ndjeshmëri të lartë publike, siç janë marrëveshja e detit, ligji i lustracionit, ndërsa ishte ndër të parat që mbështeti Vetiingun.

Çështja më me bujë që ka shqyrtuar zonja Tusha, është ajo e vitit 1995, kur rrëzoi kërkesën e ish-Kryeministrit Fatos Nano, i cili kërkoi lirim të parakohshëm nga burgu pasi ishte dënuar me 12 vite heqje lirie.

2. Elsa Toska

Elsa Toska u votua nga mazhoranca socialiste dhe deputetët zëvëndësues të opozitës me 105 vota pro si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Ajo ka punuar si këshilltare ligjore prej 12 vitesh dhe kishte kaluar vetingun.

3. Marsida Xhaferllari

Marsida Xhaferllari u zgjodh nga presidenti Meta si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, pas disa manovrave të mazhorancës socialiste që në bashkëpunim me KED tentuan të emërojnë në vend të saj Arta Vorpsin. Kjo e fundit shkoi të betohej tek një notere si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, pasi presidenti e bllokoi procesin e afateve për të. Në vend të saj, Marsida Xhaferllari u betua në presidencë dhe Gjykata Kushtetuese zgjodhi të pranojë Xhaferllarin si anëtaren e radhës e propozuar nga presidenti. U desh opinioni i Komisionit të Venecias, që të vulosej skema sipas të cilës KED ishte bërë pjesë e një loje politike për t’i hequr të drejtën presidentit të zgjidhte kandidaturën e preferuar.

4. Fiona Papajorgji

Fjona Papajorgji u zgjodh nga kuvendi, sërish me 104 vota. Kandidatura e saj u përkrah nga mazhoranca socialiste dhe disa vota nga deputetët zëvëndësues të opozitës.

5.Altin Binaj

Altin Binaj u votua nga parlamenti i mazhorancës socialiste me 96 vota pro. Ndryshe nga rastet e kaluara, Binaj ishte e vetmja kandidaturë që u paraqit nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi para deputetëve, për një mandat tashmë mjaft të kufizuar. Binaj është zgjedhja e tretë e parlamentit për Kushtetuesen.

6. Përparim Kalo

Kalo është zgjedhja e presidentit Meta, pak orë pasi Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i kishte dërguar emrin e tij dhe emrin e Aleksandër Tomës. Kreu i shtetit zgjodhi emrin e Përparim Kalos që ishte më lart në renditjen e pikëzimit.

Kandidati i shtatë

Mbetet ende i pazyrtarizuar emri i anëtarit të shtatë të Gjykatës Kushtetuese që do të ulet në karrigen e mbetur bosh pas largimit të Besnik Muçit. Në garë ka mbetur vetëm Sonila Bejtja, pasi KED ka konstatuar tërheqjen nga gara të Zhaklina Petos, e cila më herët ështe skualifikuar disa herë nga KED.

Vendimarrja në Gjykatën Kushtetuese bëhet me një kuorum prej 6 anëtarësh, ndërkohë që duhet të ketë 9 anëtarë në total, por plotësimi i tre anëtarëve të fundit, pritet pas plotësimit të Gjykatës së Lartë, pasi edhe ajo nuk është funksionale.

Fakti që Gjykata Kushtetuese u plotësua me 6 anëtarë, është përshëndetur nga ambasadorët e huaj në Tiranë, të cilët nuk e kanë fshehur entuziasmin. Dhe tani që gjykatën e kemi funksionale, të presim nëse do të kemi edhe drejtësi.©Lapsi.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular