Ndue Preçi dhe Pashkë Malçi, të cilët ishin burrë e grua, nuk kanë vdekur nga plagët, por janë mbytur pasi makina me të cilën udhëtonin ra në kanal.
Një banor i zonës në kthesën e Qarrit në Levan të Fierit ku ndodhi aksidenti me dy të vdekur mëngjesin e sotëm, ka deklaruar se ata kanë ndërruar jetë si pasojë e mbytjes në kanalin e ujit.
“Takova dikë dhe e pyeta: Ku është makina? Ka rënë brenda në ujë. Po personat? Janë brenda më tha. Shkova dhe godita xhamin e pasmë, nxora personat, i vura litarin makinës dhe e nxorën sipër pastaj. Personat ishin mbytur. Personi që takova më tha që ata po i binin xhamit dhe tentonin të dilnin. I thashë se pse nuk mori një gur që ta thyente dhe të dilnin”, tregon banori.
Shkak i aksidentit mendohet se është bërë shpejtësia e madhe e makinës dhe lagështia në rrugë, gjë që ka bërë që mjeti të dalë nga rruga dhe të përfundojë në kanal.