Deri të mërkurën në mëngjes (30.12.), në Gjermani ishin vaksinuar mbi 60.000 vetë, me dozën e parë të vaksinës kundër Covid-19. Zyrtarisht vaksinimi filloi të dielën, por në disa zona që të shtunën. Fillimi i vaksinimit ka qenë i suksesshëm, deklaroi të mërkurën në një konferencë shtypi ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn.
Instituti Robert Koch tha se vaksinime po bëhen – me ekipe mobile vaksinimi – kryesisht në shtëpitë e të moshuarve. Qendrat e vaksinimit në landet federale të Gjermanisë nuk janë hapur ende. Ato do të hapen sapo të ketë sasi të mjaftueshme vaksinash dhe interes të mjaftueshëm për vaksinim. Në qendrat e vaksinimit kushtet janë më të mira dhe vaksinimi atje do të kryhet masivisht edhe më shpejt se po bëhet tani, me ekipet mobile të vaksinimit.
Vaksina kundër Covid-19 në Gjermani është falas. Atë e paguan qeveria. Shteti do t’ua ofrojë vaksinimin, deri në fund të janarit, rreth 4 milionë shtetasve gjermanë. Aktualisht, Gjermania ka në dispozicion vetëm vaksinën e Biontech/Pfizerit, 670.000 doza në javë. Në janar pritet të shtohen edhe vaksinat e firmave të tjera, fillimisht e firmës Moderna, që do të licensohet në 6 janar në BE. Kështu që për gjithë vitin 2021, Gjermania pret të ketë 300 milionë doza vaksinimi
Vëmendje të madhe në media ka marrë edhe mjeku shqiptar, Fatmir Dalladaku, i cili ka vaksinuar në Berlin 101-vjeçaren Gertrud Haase
Vaksinimi fillimisht jo për të gjithë
Në parim në Gjermani mund të vaksinohen kundër Covid-19 të gjithë ata që dëshirojnë. Por kjo nuk vlen për momentin. Po të kërkosh vetë të vaksinohesh, duhet të dëshmosh se bën pjesë te grupet e caktuara tani nga shteti, si të rrezikuara. Kjo shpjegohet me faktin se aktualisht ka pak doza vaksinash në dispozicion.
Megjithatë, në shkurt ose në mars firma Biontech, e cila e shpiku e para vaksinën kundër Covid-19, do të shtojë kapacitet e prodhimit. Ajo do të fillojë prodhimin në një qendër shtesë të re, në Marburg në Gjermani. Kështu edhe vetëm Biontech/Pfizeri do ta shtojë numrin e dozave.
Gjermania vendosi të vaksinojë që në krye paralelisht, si më të moshuarit, ashtu edhe personelin mjekësor e sanitar më të rrezikuar. Ngjashëm ka vepruar edhe Britania e Madhe. Ndërsa në Francë, p.sh. personeli mjekësor e sanitar nuk do të vaksinohet që në krye. Koncepti i qeverisë franceze parashikon fillimisht vaksinim vetëm për të moshuarit.
Për shkak të sasisë të kufizuar të vaksinës, qeveria gjermane ka nxjerrë një dekret me prioritete. Ai përcakton se kush do të vaksinohet që në krye.
Prioritetet për vaksinimin në Gjermani
Janë gjithsej tri grupe. Në grupin e parë janë mbi 80 vjeçarët; banorët e shtëpive të të moshuarve dhe të sëmurëve kronikë dhe personeli sanitar atje. Si dhe personeli mjekësor, me rrezik veçanërisht të lartë për infektim.
Në grupin e dytë janë mbi 70 vjeçarët; personat me paaftësi mendore ose që kanë bërë transplante organesh e rrezikohen nga kjo; persona kontakti të ngushtë të grave shtatzëna e të njerëzve nën përkujdesje; personeli mjekësor me rrezik të lartë për infektim; policia e organet e rendit; pjesë të shërbimit të shëndetit publik.
Ndërsa në grupin e tretë janë mbi 60 vjeçarët; personat që kanë sëmundje kronike; personeli në pozicione kyçe, të landeve federale dhe të qeverisë federale. Këtu hyn p.sh. edhe ushtria dhe zjarrfikësit; infrastruktura kritike, si farmacistët dhe transportuesit;punonjësit e tregtisë me pakicë; mësuesit dhe edukatorët; personeli në shtëpitë e azilantëve.
Në Gjermani, pra, stafi kritik për punën e qeverisë, vaksinohet në fazën e tretë. Edhe kancelarja Merkel do të vaksinohet kur t’i vijë radha, tha shefi i kabinetit të saj.
Se sa do të zgjasë secila fazë, kjo varet nga numri i të moshuarve në secilin land federal të Gjermanisë. Në landin më të madh të Gjermanisë, në Renaninë-Veriore-Vestfali, p.sh. në shtëpitë e të sëmurëve kronikë, bashkë me personelin janë 350.000 vetë. Kurse numri i mbi 80 vjeçarëve në këtë land është 1.2 milionë vetë. Të gjithë këta do të vaksinohen në fazën e parë. Pas këtyre nis vaksinimi i grupit të dytë.
Kritika për numër të pamjaftueshëm vaksinash në Gjermani
Qeveria gjermane e hodhi poshtë kritikën se nuk është kujdesur për të porositur në kohë sasi të mjaftueshme dozash për vaksinim. Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn tha se sasia e vaksinave të porositura është ajo e duhura. Por është fakt që për momentin ka objektivisht pak doza vaksinash të prodhuara. Njëkohësisht, ai tha se Gjermania iu përmbajt me qëllim rrugës së BE, nuk bëri marrëveshje bilaterale me prodhuesit e vaksinave.
Presidenti i Bundestagut, Wolfgang Schäuble tha se e kupton dëshirën në Gjermani për të pasur sa më shumë vaksina. Por ai kujtoi edhe se vendet e pasura nuk duhet t’ua marrin gjithë sasinë e vaksinave vendeve më të varfra. Sipas organizatës Caritas International, vendet e zhvilluara e kanë rezervuar tashmë, pjesën më të madhe të prodhimit të vaksinave.
Kufizimi i lëvizjes në Gjermani pritet të zgjatet
Ekspertët dhe politikanët në Gjermani presin që kufizimi aktual i jetës publike të vazhdojë edhe pas 10 janarit. Incidenca javore në Gjermani aktualisht është 157 vetë për 100.000 banorë. Ajo duhet të bjerë nën 50 vetë për 100.000 banorë, që jeta publike të lejohet të funksionojë si më parë.
Në Gjermani, shifrat e infektimeve ende mbeten të larta. Të mërkurën (30.12.) në Gjermani pati 22.459 infektime të reja. Mbi 1129 vetë ndërruan jetë – një shifër e re rekord. Kështu që gjithsej në Gjermani, që nga fillimi i pandemisë kanë ndërruar jetë në lidhje me Covid-19 mbi 32 mijë vetë.
Tashmë dihet që varianti i ri i virusit të Covid-19 transmetohet shumë më lehtë. Rrugët alternative ndaj mbylljes së jetës publike, si ato që u ndoqën në Suedi, në Holandë e Zvicër janër pranuar tashmë si të dështuara, edhe vetë në ato vende./DW