Pamjet që po shikoni tregojnë autorin e krimit të dyfishtë, Përparim Ademin, në momentin që futet në apartamentin e dy motrave Kristina Bardhi dhe Zhaneta Metani.
Videoja e publikuar nga emisioni “Uniko”, tregon se kur ora shënon 10:06 minuta (Sqarojmë se orari i kamerave të sigurisë ka pasaktësi me 1 orë pasi ndodhi ngjarja), kur Përparim Ademi shfaqet në një prej kamerave rreth 50 metra larg pallatit ku banonin motrat.
I veshur me xhup ngjyrë blu dhe me pantallona të zeza, ai ecën qetësisht. Më pas 59-vjeçari shfaqet me biçikletë, me një çantë brenda të cilës kishte kallashnikovin dhe pas e shoqëron nipi i tij, i veshur tërësisht me të zeza.
13 minuta më vonë, Përparim Ademi shfaqet sërish në kamera, teksa largohet nga e njëjta rrugë. Ai përshkon të njëjtin itinerar, por kësaj radhe pa biçikletë. Rreth 1 orë më vonë, ai u arrestua nga policia pranë shkollës “Vasil Shanto”.
Ngjarja e rëndë tronditi Shqipërinë më 31 dhjetor. Përparim Ademi vrau me armë zjarri dy motrat Kristina Bardhin dhe Zhaneta Metanin në banesën e tyre në Astir, në sytë e Anxhelos, djalit 14-vjeçar të Zhanetës dhe Përparimit.
Sot, familjarët e viktimave treguan se Zhaneta dhe Krishtina kanë bërë fëmijë me përparimin dhe i kanë shitur ata në Selanik. Vëllai dhe motra tjetër e dy të vrarave treguan për dhunën që Ademi kishte ushtruar mbi ta për vite me radhë.