Jake Tapper i CNN i quajti turmat e protestuesve përreth ndërtesës së Kapitolit një përpjekje për grusht shteti.
“Ne po shikojmë një përpjekje për kryengritje. Ne po shikojmë një përpjekje për një grusht shteti pa gjak në Shtetet e Bashkuara ndërsa mbështetësit e Trump që ndalojnë procesin kushtetues, numërimin e zgjedhësve,” tha ai.
“Është një situatë absolutisht e turpshme, e neveritshme”, vazhdoi Tapper, duke kritikuar Presidentin për inkurajimin e protestave teksa refuzon pranimin e rezultatit.
Nga ana tjetër, Nënpresidenti Mike Pence është evakuuar nga ndërtesa e Kongresit, ku drejtonte sesionin e përbashkët të Kongresit që certifikon fituesin e zgjedhësve.
Votimi i certifikimit të Kolegjit Zgjedhor është ndalur pasi protestuesit thyen ndërtesën e Kapitolit.
Zyra e Zëvendës Presidentit të zgjedhur nuk do të komentojë mbi vendndodhjen e Kamala Harris, por shton se ajo është “e sigurt”, sipas një ndihmësi të saj.
Ajo po merrte pjesë në certifikimin e votave të Kolegjit Zgjedhor këtë pasdite në Capitol Hill.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, disa njerëz goditnin me grushta dyert e sallës kryesore ku zhvillohen seancat e Kongresit në përpjekje për të hyrë brenda.
Ligjvënësit ndërprenë seancat që hapën pasdite për certifikimin e votave elektorale dhe që po zgjaten për shkak të kundërshtimeve të disa ligjvënësve republikanë.
Njoftohet se protestuesit janë përhapur kudo në ndërtesën e Kapitolit. Policia po i shoqëron anëtarët e Kongresit jashtë ndërtesës për arsye sigurie.
Presidenti Trump, në një koment në Twitter, u bëri thirrje protestuesve të ruajnë qetësinë.
Më parë, gjatë një tubimi, ai u bëri thirrje atyre të marshonin drejt Kapitolit.
Kryetarja e Bashkisë së Uashingtonit ka shpallur gjendjen e ndalim-qarkullimit duke filluar nga ora 18:00 e së mërkurës deri në orën 6 të mëngjesit.
Më herët të mërkurën, mijëra mbështetës të Presidentit Trump, duke përfshirë disa anëtarë të grupeve të dhunshme të ekstremit të djathtë, organizuan në kryeqytet demonstrata, ndërsa mbështesnin pretendimin e pabazë të presidentit se zgjedhjet u ishin vjedhur me anë të një komploti të sofistikuar.
Shumë prej tyre mbanin kapele dhe flamuj me parrullën e zotit Trump “Ta bëjmë Amerikës përsëri të Madhe”.
Presidenti foli para mijëra mbështetësve të mbledhur pranë Shtëpisë së Bardhë në lëndinën e quajtur Elipsi.
“Ne nuk do të dorëzohemi kurrë”. “Ne kurrë nuk do të pranojmë. Kjo nuk mund të ndodhë. Nuk mund të pranosh humbjen kur është fjala për vjedhje,” tha ai.
Duke iu referuar nënpresidentit Mike Pence që kryeson seancën në Kongres, Presidenti Trump tha:
“Shpresoj që Mike të bëjë gjënë e duhur. Kështu shpresoj. Kështu shpresoj, sepse nëse Mike Pence bën gjënë e duhur, ne do të fitojmë zgjedhjet. Kjo është gjithçka që ai duhet të bëjë… Ne duhet të mbrojmë vendin tonë, të mbështesim vendin tonë, të mbështesim kushtetutën tonë dhe ta mbrojmë kushtetutën tonë. Shtetet duan të përsëritet votimi, shtetet u vodhën. Iu dha informacion fals. Ata votuan bazuar mbi këtë dhe tani duan të përsëritet çertifikimi”.
Një nga djemtë e presidentit, Donald Trump Jr., dhe avokati i tij personal, Rudy Giuliani, gjithashtu folën në tubim.
Një natë më parë disa protestues u përplasën me policinë. Policia arrestoi këtë javë drejtuesin e organizatës Djemtë Krenarë, një grup që ka mbështetur presidentin Trump. Arrestimi u bë nën akuzat për shkatërrim pasurie në lidhje me një protestë të mëparshme dhe për posedim municioni.