Nga Red Varaku
Kur Edi Rama firmosi me gjakun e Ziverit, Faikut, Hekuranit dhe Aleksit kapitullimin përballë LSI-së në prill të 2013, vetëm tre muaj para 23 qershorit, datës së zgjedhjeve politike, pati një furtunë reagimesh jo vetëm nga socialistët, por nga të gjithë qytetarët shqiptarë, që e lëkundën jo pak barkën e rilindjes.
Ai moment ka qenë ndoshta nga momentet më të vështira politike të Ramës në opozitë, sepse e detyronte atë të gëlltiste të vjellat e tetë vjetëve opozitarizëm shoqëruar me një retorikë brutale kundër Sali Berishës, largimi i të cilit ishte kthyer në prioritetin kryesor të opozitës.
Kjo sepse Rama deri në atë kohë ishte njeriu i cili i kishte humbur të gjitha betejat politike kundër tij, përfshi zgjedhjet e 2009, të cilat u kontestuan fort. Kështu ai humbi bashkinë e Tiranës vetëm katër muaj pas 21 janarit, ndërsa më pas humbi dhe presidentin , i cili duhet të ishte konsensual, sipas marrëveshjes së tij me ndërkombëtarët.
Pra, deri në 2013 ai ishte kthyer në humbësin më të madh në politikën shqiptare si lider opozite pavarësisht se si krekoset sot dhe pavarësisht që shumë bëjnë sikur nuk e mbajnë mend. Ndërkohë e gjithë ajo që njihej ndryshe si ‘partia e Nanos’ brenda PS, e cila u formalizua si Lëvizja për Mendimin Ndryshe, plus dhe shumë pakënaqur të tjerë, i doli haptazi kundër, duke e kthyer atë sërish në një humbës potencial në zgjedhjet e 2013.
Ishte pikërisht ndërhyrja e Koço Kokëdhimës, i cili mësohet t’i ketë shkuar në zyrë dhe t’ia ketë përplasur në fytyrë të vërtetën se ai nuk do të arrinte kurrë ta mundte Sali Berishën, pa një koalicion me LSI-në, që e bëri i të rikonsideronte pozicionin e tij në lidhje me LSI-në.
Në fakt kjo ishte e vërtetë. Prej 2005 Berisha nuk e kishte marrë kurrë seriozisht atë si pretendent për kryeministër dhe e kishte mundur vazhdimisht, por poshtërimi më i madh që i kishte bërë kishte qenë fakti që e zbythi atë nga pushteti pikërisht në bastionin e tij Tiranën, përmes Lulzim Bashës asokohe vetëm 35 vjeç. Ky ishte poshtërimi më i madh që mund t’i bëhej një pretendenti për kryeministër edhe pse duket që shumë e kanë harruar.
Përballë këtij realiteti dëshpërues dhe duke qenë një llogaritës gjakftohtë i pushtetit, njëkohësisht duke njohur faktin që prej 2005 LSI kishte qenë përcaktuese për rrotacionin, ai u detyrua të ulte kokën përballë ‘armikut’ dhe rivalit të tij më të madh brenda të majtës, Ilir Metës.
Dhe përkundër të gjitha parashikimeve emocionale, duke shkelur çdo parim, pra duke shitur gjakun e katër të vrarëve, duke tradhëtuar aleatët e tetë vjetëve opozitë dhe duke i flakur tej pas marrëveshjes me LSI-në, duke sfiduar kështu çdo logjikë elektorale , ai i fitoi zgjedhjet e qershorit të 2013. Kjo sepse kushdo që merret me politikë e ka të qartë që logjika ‘elektorale’ është njē gjë, ndërsa logjika politike është krejtësisht tjetër.
Dhe pikërisht pse kryeministri e di mirë këtë, po përpiqet me ndryshimet e njëanshme kushtetuese ta shkatërrojë logjikēn politike që sjell me siguri matematike opozitën në pushtet. Sepse, nga përvoja e zgjedhjeve të 2013 ,ai e di mirë që siguria dhe garancia për rrotacionin vret përfundimisht frikën nga pushteti dhe prodhon shpresë për ndryshim.
Më shumë se kushdo tjetër, ai e ka të qartë, që pavarësisht dështimeve spektakolare në të gjitha fushat ku kryedështimi mbetet bllokimi i integrimit, fitoren e prodhon logjika politike, pra numrat dhe numrat sot ulërasin kundër tij.
Ndërsa dallgën për largimin e tij e krijon mllefi i madh që është krijuar kundër tij, jo vetëm nga privatizimi i pushtetit dhe instalimi i kulturës së abuzimit në çdo qelizë të ushtrimit të pushtetit, por edhe për shkak se opozita ia ka dalë të vërtetojë tezën e saj, se ai është njeriu që ka marrë peng vendin dhe po e përdor atë në shërbim të axhendës së tij për para dhe pushtet.
Kjo u provua dhe me fakte shumë të rënda që tashmë i njohim të gjithë. Ato janë projekti i mini Jugosllavisë që tenton ta kthejë Tiranën dhe Prishtinën në shërbëtorë të Beogradit, përpjekja për ndarjen e Kosovës që tentonte destabilizimin e Ballkanit me qëllim shkatërrimin e BE dhe noterizimi shtetëror i shitjes së detit për Greqinë. Këto fakte qëndrojnë aty si vula turpi në fytyrën e kësaj qeverie për t’i thyer kokën kujtdo që tenton të argumentojë të kundërtën.
Kaq mjafton për ta rrëzuar atë nga pushteti. Pjesa tjetër me aeroporte rrëzëllitëse, stadiume me kulla fluturuese janë vaksina që prodhojnë vetëm haluçinacione që është e sigurtë që as ai vetë nuk i beson se do funksionojnë, por që i duhen shumë për të mbajtur me silazh propagandistik bagëtitë e uritura të pushtetit deri në 25 prill.