Policia amerikane ka vendosur nën bllokim ndërtesën e Capitol Hill (ndërtesa ku ndodhet Kongresi i SHBA) pasi protestues të shumtë në mbështetje të Donald Trump u afruan.
Ata protestojnë kundër rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2020.
Pamjet tregojnë demonstrues që grumbullohen në ndërtesën e Capitol, duke thyer barrierën e përkohshme që ishte vendosur përpara ndërtesës. Media amerikane përshkruan disa protestues që u ngjitën në pjesë të ndërtesës së Capitol, duke u përpjekur të futen brenda.
Kongresi aktualisht është në seancë për të numëruar dhe vërtetuar votat e Kolegjit Zgjedhor për president dhe nënpresident të SHBA-ve.
Rojet e sigurisë së ndërtesës kërkuan mbështetje shtesë nga policia federale.
Burimi tha për CNN, se ka disa pajisje të dyshimta jashtë ndërtesës së Capitol.
Një burim i veçantë i zbatimit të ligjit thotë se Departamenti i Policisë Metropolitane DC ka dërguar më shumë burime për të ndihmuar Policinë për të menaxhuar protestën.
Turma protestuesish po ngjiten në shkallët dhe tarracën e ndërtesës në një “përshkallëzim të rëndësishëm”.
Policia ka qëlluar me gaz lotsjellës. Gazetari i CNN tha se nuk pa “asnjë lloj shenje të zbatimit të ligjit” nga vendi ku qëndronte.
Madje, ka pasur persona që kanë hyrë brenda ndërtesës siç shihet në videon më poshtë.
Procesi, që zakonisht është rutinor dhe ceremonial, duket se do të shkojë ngadalë, pasi disa republikanë të presidentit aktual, Donald Trump, kanë vendosur ta sfidojnë konfirmimin, duke u thirrur në pretendime të pabaza për mashtrime në zgjedhje.
Kundërshtimet e para u paraqitën për rezultatet e shtetit të Arizonës, ku Biden është shpallur fitues.
Kundërshtimi çon tani në dy orë debat në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat.
Trump, në anën tjetër, është zotuar se “nuk do ta pranojë kurrë humbjen” dhe u ka bërë thirrje mbështetësve që të mblidhen në Uashington.
“Ne kurrë nuk do të dorëzohemi”, tha Trump në tubimin e mesditës.
Së paku 14 senatorë republikanë dhe rreth 140 anëtarë republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve kanë thënë se do t’i sfidojnë rezultatet e disa shteteve. Por, ky vendim i ka ndarë edhe vetë republikanët.
“Votuesit, gjykatat, shtetet – të gjithë kanë folur. Nëse i tejkalojmë ata, ne do ta dëmtojmë republikën tonë përgjithmonë”, tha Mitch McConnell.
Nënpresidenti aktual, Mike Pence, tha se roli i tij “kryesisht ceremonial” në seancën e sotme të Kongresit, nuk e lejon atë që ta ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve dhe fitoren e Bidenit.
Në një deklaratë me shkrim, Pence tha se është gjykim i tij që Kushtetuta amerikane e ndalon atë ta bëjë një gjë të tillë.
“Presidenca i përket popullit amerikan dhe vetëm atij”, tha Pence.
Kolegji Zgjedhor – sistemi i përdorur për të zgjedhur presidentin e SHBA-së – e ka konfirmuar fitoren e Bidenit në muajin dhjetor.
Ligjvënësit republikanë planifikojnë t’i kundërshtojnë votat elektorale në së paku gjashtë shtete – Arizona, Xhorxhia, Nevada, Miçigen, Pensilvani dhe Uiskonsin.
Përpjekja e republikanëve nuk ka pothuajse asnjë shans për ta parandaluar Bidenin që të marrë detyrën më 20 janar, sepse demokratët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe mjaft republikanë e kundërshtojnë përpjekjen.