Publikohen për herë të parë disa foto të rralla nga marshimi i ushtrisë serbe në territorin shqiptar, gjatë periudhës së Luftës së Parë Botërore 1914 – 1918, kur gjatë këtyre viteve, trojet shqiptare u kthyen në arenë luftimesh ndërmjet dy blloqeve kryesore të përfshira në këtë konflikt.
Në njërën anë ishin trupat franceze, serbe, greke, dhe italiane (të Antantës) dhe në anën tjetër forcat austro-hungareze, dhe ato bullgare (të Bllokut Qëndror)
Marshimi i këtyre armatave, dhe veçanërisht i asaj serbe (ashtu siç shihet dhe në këto foto) u shoqërua me masakra, djegie, plaçkitje, dhe shkatërrime ndaj popullsisë së pafajshme civile shqiptare, sidomos pjesës së përqëndruar në viset veriore dhe veri-lindore të vëndit. Në marshimin e armatave serbo-malazeze në Shqipëri, në krye të tyre ishte dhe Mbreti i Serbisë, Krajli Petar Karagjeorgjevic, së bashku me trashëgimtarin e tij, Aleksandrin.
Ata u detyruan të evakuoheshin nga atdheu i tyre, Serbia, për t’i shpëtuar rrethimit të forcave austro-hungareze, dhe do të marshonin në kushte dhe terrene tepër të vështira, prej dimrit të egër të atij viti, me ngrica të acarta me temperatura disa gradë nën zero. Këto trupa do të rigrumbulloheshin në Selanik, pas një evakuimi që i’u bë atyre nga anijet franceze dhe italiane, të cilat kishin zbarkuar në ishullin e Korfuzit. Me mijëra serbë, do të humbnin jetën nga ky marshim i gjatë i kryer mespërmes gadishullit të Ballkanit, ku shumë prej tyre do të vdisnin nga uria, sëmundjet, si dhe nga të ftohtit ekstrem.
Këto trupa, do të ishin pjesëmarrëse në shumë histori tragjike të masakrave që ato kryen, mbi krahina të tëra të banuara nga shqiptarët autoktonë (duke përfshirë këtu dhe Kosovën). Shumë prej këtyre masakrave u denoncuan në shtypin e kohës nga korespondenti rus për Ballkanin, Leon Trocki (një nga liderët e ardhshëm komunistë të Revolucionit të Tetorit) dhe Dimitrije Tuçoviç, një ushtarak i njohur serb, i cili do të guxonte të publikonte episode të fushatës çfarosëse ndaj shqiptarëve.
Fotot në fjalë që publikohen për herë të parë nga Memorie.al, janë marrë nga katalogu ‘Albumet e luftës, 1914-1918’ të autores sereb, Andra Popoviq./Memorie.al