Colleen Stan ishte vetëm 20-vjeçe kur u rrëmbye dhe u mbajt e mbyllur në një arkivol për 7 vite nga një çift. “The Sun” ka publikuar historinë e saj tronditëse, ndërsa e reja u rrëmbye teksa po shkonte në një festë ditëlindje. Çifti, me një fëmijë në krah, iu afruan duke i thënë se mund ta shoqëronin ata në festë, por në fakt, ata e dërguan në shtëpinë e tyre.
Ngjarja ndodhi në Kaliforni, ku bashkëshortët, Cameron Hooker dhe Janice, e mbyllën atë në një arkivol që e mbanin poshtë krevatit. Ata e nxirrnin vetëm kur donin ta përdhunonin ose torturonin. Ajo u rrah, u torturua me rrymë elektrike, e madje u detyrua të firmoste një kontratë skllavërie nën kërcënimin se do i vrisnin familjen nëse ajo përpiqej të arratisej.
“Isha e tmerruar. Sapo u futa në makinë, një zë më thoshte të dilja dhe të ikja me vrap, por përpiqesha ta qetësoja veten. Më pas, kur pashë që ata nuk u drejtuan për te vendi ku zhvillohej festa, më kapi paniku. Ata më dërguan në shtëpinë e tyre më lidhën me zinxhirë, më torturuan dhe më përdhunuan. Isha e sigurt që do të më vrisnin”, tha ajo.
Por ndërsa koha kalonte, asaj iu lejua nga çifti të dilte nga arkivoli dhe të kujdesej për fëmijët.
Më pas gruaja i rrëfeu se megjithëse e shikonte atë teksa torturohej, edhe ajo vetë kishte qenë viktimë e torturave. E madje edhe Colleen pranon se ai e dhunonte atë vazhdimisht, në mënyrat më çnjerëzore.
Në gusht të vitit 1984, Janice e çoi Colleen në një stacion autobusi para se të arratisej me dy vajzat e saj.
Në mënyrë të çuditshme, Colleen më pas i telefonoi Hooker për të thënë se ajo po e linte dhe ai shpërtheu në lot.
Ajo nuk raportoi rrëmbimin dhe abuzimin e saj në polici për muaj, duke telefonuar Hooker disa herë me shpresën se ai do të “ndryshonte”.
Në vend të kësaj, ishte Janice ajo që më në fund denoncoi burrin e saj në polici, duke e fajësuar atë për rrëmbimin, torturimin dhe vrasjen e Marie Elizabeth Spannhake, e cila u zhduk në janar 1976.
Janice dëshmoi kundër burrit të saj dhe iu dha imunitet. Hooker u burgos për 104 vjet.