Njëzëri 11 importuesit dhe prodhuesit më të mëdhenj në vend të mallrave të akcizës në një letër drejtuar Kryeministrit Edi Rama, ministrave Anila Denaj dhe Eduard Shalsi, kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi kërkojnë uljen e çmimit të pullave fiskale në nivelet që aplikohet në vendet e BE-së.
Kontrata e koncesionit me kompaninë “Sicpa Security Solutions” SA është miratuar më 24 shkurt 2011 për vendosjen e pullave fiskale në mallrat e akcizës, si: birra, vera, cigaret, pijet alkoolike dhe barnat dhe pritet që ajo të përfundojë së shpejti.
Kompanitë shqiptare kërkojnë që pas përfundimit të kontratës të koncesionit qeveria të tregohet e kujdesshme me procesin për vendosjen e tarifave të pullave fiskale, pasi nga krahasimi i çmimit të pullave fiskale prej 10 vitesh ata po paguajnë tarifa 10 herë më të shtrenjta se vendet e Bashkimit Europian.
“Shpenzimet që i ngarkohen bizneseve prodhuese të mallrave që i nënshtrohen regjimit të akcizës, për të garantuar pagesën e detyrimeve ndaj shtetit nëpërmjet pullës fiskale, në ndonjë rast shkojnë përtej çdo logjike financiare. Në rastin e birrave për shembull, shpenzimet që kanë bizneset prodhuese vendase vetëm për blerjen e pullave fiskale janë sa 50% e detyrimit të akcizës, për njësi prodhimi”, thuhet në letër.
Nga qeveria deri tani nuk ka një qëndrim zyrtar nëse pas përfundimit të kontratës me kompaninë “Sipca” shërbimi do t’i jepet një kompanie tjetër private, apo do të veprohet si në vendet e Bashkimit Europian, ku shërbimi ofrohet nga kompanitë shtetërore të printimit me tarifë 3 USD për 1 mijë copë pulla fiskale. Importuesit ngrenë si shqetësim se kompania “Sicpa Security Solutions” SA këtë shërbim e ofron edhe në Turqi dhe Gjeorgji me çmime gati 5 herë më të ulëta se Shqipëria. Sipërmarrësit pohojnë se tarifat e larta në këto 10 vite vetëm kanë shtuar kostot dhe nuk i kanë mbrojtur nga konkurrenca e pandershme.
Edhe më herët bizneset shqiptare kanë ngritur disa herë shqetësimin për shtimin e kostove nga çmimet e larta të pullave fiskale. Në vitin 2014 këto shqetësime u mbështetën edhe nga Autoriteti i Konkurrencës, i cili bëri një vlerësim të marrëveshjes nga krahasimi i çmimeve të pullave fiskale para dhe pas dhënies së koncesionit rezultoi se për cigaret dhe alkoolin çmimet e pullave janë rritur rreth 4 herë duke përbërë kosto të shtuar për biznesin.
Letra
Ju drejtohemi në cilësinë e përfaqësuesve të disa kompanive prodhuese e importuese të mallrave që i nënshtrohen regjimit të akcizës dhe që në zbatim të legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë duhet të aplikojnë pullë fiskale.
Tashmë u bënë rreth 10 vite që nga miratimi i ligjit nr. 10 381, datë 24.2.2011 “Për miratimin e kontratës së koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet kontraktues dhe shoqërisë “Sicpa Security Solutions” SA e “Sicpa Security Solutions” Albania shpk, për projektimin, financimin, dizenjimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi, për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave” dhe akteve të tjera të dala në bazë dhe për zbatim të tij, që kompanitë që përfaqësojmë ndjekin një procedure tepër të komplikuar për blerjen dhe vendosjen e pullave fiskale në mallrat që i nënshtrohen regjimit të akcizës, si cigare, birrë, verëra dhe pije të tjera alkoolike.
Ne kemi analizuar çmimet e pullave fiskale në rajon dhe në BE dhe konstatojmë që çmimi i pullës fiskale në Shqipëri arrin deri në 10 herë më shtrenjtë se në vendet e sipërpërmendura, duke përbërë kështu një barrë e madhe parafiskale për bizneset tona.
Meqenëse vitin e ardhshëm afati i koncesionit të sipërpërmendur përfundon, Ju drejtohemi me qëllim që në procesin e vendimmarrjes për mënyrën e trajtimit të mëtejshëm të procesit të dizenjimit, prodhimit dhe menaxhimit të sistemit, për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale, të mbahen parasysh edhe kërkesat e bizneseve që përfaqësojmë e mbi te gjitha argumentet që po Ju parashtrojmë më poshtë:
Çmimi i pullave fiskale në Shqipëri është më i shtrenjti në BE dhe në shtetet e Europës Juglindore
Bazuar në të dhënat dhe analizat e bëra nga ekspertët tanë, na rezulton që çmimi i pullave fiskale në Shqipëri është më i shtrenjti në BE dhe në shtetet e Europës Juglindore. Kjo është barra më e madhe parafiskale e cila nuk sjell ndonjë të mirë shtesë në fushën e sigurisë dhe monitorimit të zinxhirit furnizues mbi ato të mira që shtetet e tjera janë në gjendje të marrin nga zgjidhje të ngjashme, por me një çmim shumë herë më të lirë të pullave dhe/ose zgjidhjeve totale nëpërmjet sistemeve të gjurmimit nëpërmjet kodeve.
Aktualisht, në Shqipëri kompanitë që tregtojnë produkte që kanë detyrimin për pulla fiskale paguajnë çmimet e mëposhtme për 1000 copë pulla:
Bazuar në kërkimet tona dhe vlerësimit e ekspertëve tanë fiskalë (të huaj e shqiptare), në rajon dhe më gjerë, konfirmohet që në fakt Shqipëria aktualisht ka pullën më të shtrenjtë nga të gjitha shtetet të cilat ne i morëm në analizë, shtete të cilat kanë një peshë të madhe në shkëmbimet tregtare me Shqipërinë. Ju lutem referojuni tabelës së mëposhtme:
Roli dhe funksioni i pullës fiskale është i njëjtë në të gjitha shtetet e sipërpërmendura dhe ne besojmë fort që çmimi deri në 10 herë më i lartë nuk i sjell asnjë përfitim shtesë buxhetit të shtetit, mbi ato përfitime që merr çdo shtet tjetër i listuar më sipër. Gjithashtu ne vumë re se i njëjti ofrues i shërbimit në Shqipëri ofron këtë shërbim në Turqi dhe në Gjeorgji me çmime shumë herë më të ulëta.
Çmimi shumë i lartë i pullave nuk ka asnjë impakt në buxhetin e shtetit
Çmimi shumë i lartë i pullave nuk ka asnjë impakt në buxhetin e shtetit dhe për më tepër nuk ka arritur të adresojë problemin e vërtetë të tregtisë së paligjshme me produkte të akcizës, e cila vazhdon të jetë problematike nga prodhues apo fermerë të paregjistruar vendorë. (Mjafton një vizitë në tregje të hapura për të parë për shembull produktet e duhanit të grirë që shiten hapur me çmim 2-3 herë më lirë se sa detyrimi i akcizës për kilogramë).
E pra kjo pullë nuk mund të shitet si zgjidhje për tregtinë e paligjshme, pasi nuk e ka fuqinë e as nuk i mbron prodhuesit dhe importuesit e ndershëm nga konkurrenca e pandershme e tregtisë së paligjshme, por gjithashtu nuk ja mundëson qeverisë një mbledhje më efektive të taksës së akcizës.
Shpenzimet që i ngarkohen bizneseve prodhuese në ndonjë rast shkojnë përtej çdo llogjike financiare
Shpenzimet që i ngarkohen bizneseve prodhuese të mallrave që i nënshtrohen regjimit të akcizës, për të garantuar pagesën e detyrimeve ndaj shtetit nëpërmjet pullës fiskale, në ndonjë rast shkojnë përtej çdo logjike financiare. Në rastin e birrave për shembull, shpenzimet që kanë bizneset prodhuese vendase vetëm për blerjen e pullave fiskale (pa marrë këtu parasysh vendosjen dhe problemet e tjera të lidhura me këtë proces), janë sa 50% e detyrimit të akcizës, për njësi prodhimi!
Procedura e dërgimit të pullave fiskale tek prodhuesit është shumë e shtrenjtë
Një tjetër moment ku do të donim të ndaleshim është edhe procedura e dërgimit të pullave fiskale tek prodhuesit e mallrave që i nënshtrohen regjimit të akcizës. Kështu, pavarësisht faktit se për pullat fiskale shoqëritë tona janë të detyruara të depozitojnë garancitë bankare përkatëse, sërish dërgimi i tyre tek prodhuesit duhet të bëhet nga kompani transporti ndërkombëtare. Kjo gjë rrit me tej kostot tona, duke pasur parasysh se në mjaft raste, importuesit e birrave për shembull (por jo vetëm), dërgojnë tek prodhuesit transportuesit e tyre pothuajse çdo javë.
Nisur nga sa parashtruam më sipër ne kemi bindjen që çmimet e mësipërme mund të ulen në mënyrë të ndjeshme pa e rrezikuar cilësinë e pullës fiskale.
Zhvillimet e reja teknologjike dhe një numër gjithnjë e në rritje të ofruesve të këtij shërbimi, garantojnë që ulja e çmimit është plotësisht e mundur dhe për këtë arsye po Ju drejtohemi me qëllim rishikimin e listës së çmimeve të pullave fiskale.
Një veprim i tillë do të sillte uljen e një barre të paarsyeshme për kompanitë tona dhe do të ndikonte në përmirësimin e klimës së biznesit në vend.
Ne mbetemi besimplotë që shqetësimi ynë i kahershëm do të adresohet këtë radhë me prioritet të lartë duke normalizuar një barrë absurde parafiskale për të gjithë bizneset tona.
Përfaqësuesit e industrisë së mallrave të akcizës:
PHILIP MORRIS ALBANIA SHPK
AGNA SHA
ALFA SHA
TABACCO HOLLDING GROUP
Eurolab Internacional Grup Shpk
Kantina e Pijeve Gj. K. Skënderbeu
MARKETING & DISTRIBUTION shpk
BIRRA KORÇA
BIRRA TIRANA
BRITISH AMERICAN TOBACO-ALBANIA
P R I M A LL.