Policia e Durrësit ka arrestuar një 31-vjeçar nga Fieri, i cili ka terrorizuar qytetarët, pasi ka qëlluar me armë zjarri në ajër.
Në pranga ka rënë i riu J. B., ndërsa nga verifikimi ka rezultuar se arma që dispononte ishte armë sportive dhe përdorej me fishekë manovër.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës kanë proceduar penalisht për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve sportive”, shtetasin J. B., 31 vjeç, banues në Fier.
Mbrëmjen e djeshme, pas një njoftimi në sallën operative se në lagjen nr. 1, Durrës, një shtetas kishte qëlluar në ajër me armë zjarri duke shkaktuar panik tek banorët, menjëherë shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë bërë shoqërimin e 31-vjeçarit në ambientet e Policisë.
Nga verifikimet e bëra ka rezultuar se arma që dispononte shtetasi J. B., ishte armë sportive dhe përdorej me fishekë manovër.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.