Ka përfunduar numërimi i fletëvotimeve nga të gjitha vendvotimet në Kosovë. Zëdhënësi i KQZ, Valmir Elezi deklaroi se pritet që të procesohen edhe rreth 1% e të dhënave në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhje (KQZ)
Në faqen e KQZ-së janë të publikuara momentalisht statistikat e numërimit të 98,84% për qind të votave. Lëvizja Vetëvendosje prin e para me 47,96% të votave.
Ndërkohë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve(QNK) po vazhdon të pranohet materiali i ndjeshëm zgjedhor që është përdorur dje gjatë ditës së zgjedhjeve.
“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdojmë të pranojmë materialin e ndjeshëm zgjedhor i cili gjatë ditës së zgjedhjeve ka qenë i shpërndarë në të gjitha vendvotimet në Republikën e Kosovës. Më lejoni gjithashtu t’ju njoftoj se numërimi i fletëvotimeve nga vendvotimet ka përfunduar të dielën në mbrëmje dhe në web faqen e KQZ-së janë procesuar të dhënat e pothuajse 99% të vendvotimeve, kanë mbetur disa vendvotime numër i vogël rreth 40 prej tyre të dhënat e të cilave do të përditësohen do të ngarkohen në web faqe gjatë ditës së sotme”, tha Elezi.
Ndërkohë në pritje për numërim mbesin votat me kusht dhe ato me postë. Nga zgjedhjet e djeshme, me numërimet e deritanishme parti fituese ka dalë Lëvizja Vetëvendosje.
Ndërkaq, pas shpalljes së rezultateve preliminare, Albin Kurti nga LVV tha se u vërtetua se zgjedhjet ishin një referendum për drejtësi. Ai theksoi se qeveria e ardhshme nuk do të hakmerret ndaj askujt, por do të kërkojnë përgjegjësi dhe drejtësi kudo. Nga ana tjetër Enver Hoxhaj nga PDK tha se rezultati është mesazh i qartë për PDK-në dhe se ata e kanë pranuar si të tillë. “Ne përgëzojmë LVV për rezultatin e arritur…Natyrisht PDK nuk do të jetë pjesë e qeverisjes me Vetëvendosjen pasi kemi dallim të madh në orientimet politike. Jemi shumë larg në orientimet politike dhe nuk bëjmë kompromis me vlerat që ka ndërtuar dhe qëndron PDK”, -tha ai. Reagimeve iu bashkua dhe Isa Mustafa, i cili pasi pranoi rezultatin pohoi se në ditët në vijim kjo parti do të bëjë analizë më të detajuar.
Këto zgjedhje janë të parakohshme në Kosovë, pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi qeverinë Hoti në dhjetor. Edhe vitin e kaluar Vetëvendosje ishte në qeveri për vetëm disa muaj pasi koalicioni me LDK u prish. Tashmë Vetëvendosje synon që ta marrë e vetme qeverinë teksa në paktin parazgjedhor është lënë që kryeministër të jetë Albin Kurti e Presidente Vjosa Osmani.