Nga Red VARAKU
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha firmosi sot në selinë blu marrëveshjen më aleatët e koalicionit. Ky është padyshim koalicioni dhe bashkimi më i madh i shqiptarëve kundër një regjimi, pjesë e të cilit janë të gjitha ngjyrat dhe nuancat e spektrit politik shqiptar.
Madhësia dhe larmishmëria e këtij koalicioni , përveç se është një meritë e padiskutueshme e Lulzim Bashës si kryetar, dëshmon që PD mbetet një parti e hapur, që interes primar ka interesin e qytetarëve dhe jo interesin për pushtet dhe se ajo nuk ia ka mbyllur derën askujt që dëshiron të kontribuojë për rrëzimin e Ramës.
Sigurisht, elementi më simbolik, që dëshmon bashkimin e opozitës dhe besimin se PD është gati për të marrë përgjegjësinë e qeverisjes së vendit, është fakti që në listë do të jetë edhe Fryma e Re Demokratike e themeluar nga ish-nënkryetari i PD z.Bamir Topi, që në zgjedhjet e shkuara ka qenë në koalicion me PS.
Ky bashkim i madh i të gjitha ngjyrave dhe nuancave politike në të vërtetë është një shpullë e fortë mbi të gjithë ata që deri dje hidhnin baltë mbi opozitën dhe e akuzonin atë si të përçarë. Ai rrëzon të gjitha pretendimet e partiçkave të krijuara vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve, të cilat e’ shitën’ PD për interesa të vogla dhe meskine pikërisht në momentet e saj më të vështira.
Kjo jo vetëm sepse vetë ngjyrat dhe madhësia e këtij koalicioni janë një provë e pakontestueshme politikisht, që Opozita e Bashkuar sot frymëzon vërtet ndryshim, por edhe sepse i demaskon bashkëpunëtorët e këtij regjimi si mercenarë politikë, si ‘gomerë’ dhe ‘mushka’ që po shalohen nga kryeministri me qëllim që të çojnë ujë në mullirin e pushtetit.