Covid-19 i merr jetën drejtorit të shkollës 9-vjeçare në fshatin Karkanjoz. 58-vjeçari Gezim Shkoza,baba i 3 fëmijëve,ishte në intubim në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë
Drejtori i shkollës 9-vjeçare në fshatin Karkanjoz, në Berat, ka gjetur vdekjen nga Covid-19. 58-vjeçari Gëzim Shkoza, pasi kishte shfaqur shenja të prekjes nga virusi, ishte shtruar fillimisht në Repartin Covid-19 në Spitalin Rajonal të Beratit.
Pas përkeqësimit të shëndetit të tij një javë më parë, ai është dërguar për mjekim më të specializuar në Spitalin Covid-2 “Shefqet Ndroqi” në Tiranë.
Mësohet se tri ditët e fundit Shkoza ishte në intubim dhe megjithë përpjekjet e mjekëve, ai nuk arriti ta mposhtë dot sëmundjen, duke ndërruar jetë mëngjesin e sotëm
Gëzim Shkoza, babai i tre fëmijëve, jetonte në Karkanjoz, ku edhe ka ushtruar prej më shumë se 30 vitesh profesionin e mësuesit, ndërkohë që 5 vitet e fundit ishte emëruar drejtor i shkollës 9-vjeçare të fshatit.