Se çfarë do të bëjë ai për rindëtimin e banesave, si Kryeministër i ardhshëm i vendit dhe qeveria që do të drejtojë, Kryetari i opozitës Lulzim Basha ka folur sot në Kombinat të Tiranës.
Basha u tha banorëve të shqetësuar mbetur pa strehë që edhe po i zhvendosin nga trualli ku ata kishin jetuar deri më sot për në zona të tjera të kryeqytetit:
“Unë ju garantoj që qeverisja e ardhshme do të ketë ekspertë që do të përshpejtojnë dhe do t’i japin fund procesit të zvarritur të të gjithë familjeve të dëmtuara nga tërmeti, sipas kërkesave të tyre, jo sipas planeve të oligarkëve dhe hajdutëve.
Duan ta përdorin edhe këtë proces për të zhvatur prona, për të ndërtuar pallate dhe qendra tregtare për veten e tyre, siç përdorën pandeminë për të vjedhur paratë e Shëndetësisë.
Jo! Do të ketë një grup të ekspertëve më të mirë që në mënyrë transparente do të administrojnë dhe fondet e Bashkimit Europian, që nuk i beson Edi Ramës, që nuk i beson asnjë qeverive të korruptuara dhe as qeverisë më të korruptuar të Ballkanit dhe të Europës.
Prandaj 25 Prilli është ditë ndryshimi dhe fitoreje edhe për familjet e goditura nga tërmeti.
Ne do ta bëjmë procesin transparent dhe do ta përshpejtojmë, do t’i japim fund kalvarit tuaj të vuajtjeve.
Ne nuk do ta përdorim seleksionim dhe diskriminim, midis të nënës dhe të njerkës; do t’i trajtojmë njerëzit me drejtësi sipas dëmit që i është shkaktuar secilit prej tyre. Ky është zotimi im, angazhimi im, ky është plani ynë.”