Nga Ardit Gjinali
Regjimet politike tremben nga qytetari dhe të tillat rreken ta shndërrojnë të njëjtin në tillin banor të fjetinave urbane ku errësira e periudhës së gjumit njehsohet me errësirën shoqërore të imponuar nga thundrra e autokracisë; e tilla thundër që nuk kërkon të sundojë vetëm politikisht, por gjithashtu provon të sundojë shpirtin e qytetarit për të sunduar shoqërinë, gjithashtu. Djallëzia politike tenton të shkurajojë qytetarin përmes kufizimit të hapësirës demokratike që identifikon një shoqëri normale; zëri i qytetarit nuk dëgjohet dhe vullneti i tij tjetërsohet përmes zgjedhjeve politike të cënuara në frymë dhe thelb; i tilli qytetar vëren rrëshqitjen dramatike drejt absolutizmit duke ndjerë kufizimin e vazhdueshëm të lirisë shoqërore; i njëjti vështron trishtueshëm humbjen e qytetit, lagjes, largimin e të afërmit dhe mikut duke ndjerë në secilën ditë zymtësinë e braktisjes , e tilla që sjell në vëmendje shumëçka të ndryshuar për të tillët që ende nuk e kanë kuptuar.
Aktualiteti i përjetuar në secilën ditë të këtyre viteve, ku arkaizmi dhe banaliteti realizojnë dramën negative të pazakontë që nuk mund të largojë vëmendjen e qytetarit të shqetësuar dhe të angazhuar. Qytetari kërkon dhe thërret për një fillim të ri, mundësi të re dhe besim të ri duke mos harruar trashëgiminë pozitive së të shkuarës dhe duke ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme përmes ndryshimit të një tashmeje dramatike ku ka humbur qyteti, ka humbur qytetari dhe ka humbur Shqipëria. Shqipëria ka humbur shtetin dhe qeverisjen…..shumëçka e uzurpuar dhe rrëmbyer në mendësinë e zbrazjes së shpejtë së tepsisë duke rrëmbyer dhe të tillën me qëllimin e humbjes së secilës gjurmë që dëshmon grykësinë rrënqethëse të enturazhit pushtet-mbajtës që ushtron me zell të tepruar dhe me mendim të munguar të tillën pangopësi që përthithet në humbëtirën e asgjësë së ofruar për qytetarin dhe vendin, gjithashtu.
Shqipëria e së sotmes ngec nën zgjedhën e grykësisë mëkatare që karakterizon segmentet e ferman-lëshuesve të pushtetit që e kanë shndërruar shtetin në një plaçkë shumë-përdorimshme që endet në të tillat duar jo të pastra që lëvizin mekanikisht për të shpërfaqur iluzionin e imazhit të ndryshuar, i tilli imazh i gënjeshtërt që rreket të mbulojë pisllëkun ndotës që kutërbon klientelizëm, nepotizëm, paaftësi të qëllimtë , arbitraritet, pandjeshmëri njerëzore pushtet-ushtruese e reflektuar në të tillin dëgjim të munguar , shikim të mveshur nga imazhi i luksit që fluturon nga nën-ndërgjegjet e ndërgjegjeve jo njerëzore dhe i tilli shikim hidhet me përçmim mbi të tillin qytetar që konsiderohet si bezdia e veshëve të dyllosur nga rradhitja e sukseseve qeverisëse plot eksese mbi numërorët frymorë dhe mbi truallin kombëtar ; -të tillin truall ku po ushtrohet me legjitimitet të diskutueshëm juridik dhe tërësisht të munguar politik e tilla keqqeverisje me fabul të humbur, por me vullnetin negativ të vazhdimësisë të së keqes.
E keqja mund të ndalet përmes një angazhimi të rëndësishëm të secilit qytetar, një vullneti të palëkundur njerëzor që tejkalon secilën llogari të vogël meskine , një bashkëveprim energjish pozitive njerëzore për të shkulur të tillin negativitet që ka pllakosur vendin, një udhë e re e ndërtuar nga një bashkim i madh për ndryshim dhe një shpresë të re. Koha për një fillim të ri për qytetarin dhe një rrugëtim me shpresë të re është tani!Bashkë sepse ka ende shpresë….