Nga Artur ZHEJI
“Duhet patjetër një Parti e Re Socialiste, gjithmonë më e re!” – kjo duket se është edhe paradigma e listave të reja parlamentare të Ramo-Socialistëve! Sepse duhet të krijohet alibia e përsosur: “Mandati i Tretë” e rinon dhe nuk e mplak partinë në pushtet. Gjetja dhe mishërimi i kësaj paradigme, është në vetvete një gjetje e mirë e “çifutëve” të Ramës.
Thinjat e kryetarit, tashmë një ish virtuoz i lodhur në më të shumtën e vet, duhet të mbulohen nga thinja të tjera dhe po ashtu, edhe nga një makiazh deputetësh që ti kujtojnë popullit, se PS, është e vetpastrueshme edhe në pushtet.
Se Partia Socialiste, nuk ka nevojë të shkojë në opozitë, sepse vetndëshkohet, vetseleksionohet edhe në pushtet!
Duhet pra, një qarkullim “elitash”, brenda “kazanit” të madh të socialistëve, duhet mbjellë një pasiguri e përgjithshme te gjithkush brenda “kazanit”, që sytë të ngrihen me adhurim, përkushtim dhe nënshtrim, vetëm kundrejt Marshallit të Përgjithshëm.
E pra, duhet të largohet Bare (gjithësesi nuk do t’ja ndjejmë mungesën, se ka vite që hesht), apo Hysi, që ka vite që nuk thotë asgjë që mbahet mend, megjithëse ka qenë mjaft e ekuilibruar dhe e moderuar në “politikishten” e vet…
Koka të tjera e kanë rradhën të këputen në partinë e Rozëve, që të lirojnë vend dhe “spazio”… për të tjerë, më të larë nga veset dhe përfoljet, dhe më të parfumuar me virtyte…
Marshallit i duhet që, pasi mbaroi punët e pista, me “personat problematikë”, të nxjerrë në fasadë, grupin “Simpatikët”, që edhe ai, mundësisht të marrë sadopak nga “nurshmëria” e tyre…
Se, që të themi të vërtetën, ka mbajtur shumë zullume të partiakëve të vet, në supet e tija, që kanë zënë e kërrusen nga pak. Ka mbrrojtur të pambrojtshmit, ka gënjyer përdhunshëm dhe fare trashë, edhe për të Tretët, që janë edhe super-pasuruar në kurriz të Marshallit!
Por vjen dita dhe Marshalli merr kamzhikun dhe godet! Se hakmarrjen e njeh mirë, Ay!…
(portetizimi i “Bëmave të Marshallit”, vijon…)