Kryeministri Edi Rama ka kërkuar përjashtimin nga Partia Socialiste të kreut të bashkisë së Vlorës Dritan Leli.
Mësohet se kreu i qeverisë u ka nisur një mesazh anëtarëve të Asamblesë së PS-së, ku kërkon përjashtimin e Lelit.
“Dritan Leli nuk është më pjesë e jona”, thuhet në mesazhin e Edi Ramës. Lëvizja e kryeministrit vjen pasi kryebashkiaku i Vlorës refuzoi propozimin e Edi Ramës për të qenë në listën e kandidatëve për deputetë të PS në Vlorë.
“Dritan Leli nuk është më pjesë e jona. Me mua dhe Damianin nuk do të dalë në fushatë. Nëse ka preferencë për ndonjë kandidat privatisht le ta ndihmojë, por jo me ne”, thuhej në letrën e Edi Ramës, që u lexua në mbledhjen e asamblesë nga Damian Gjiknuri.
Të hënën pak minuta para zyrtarizimit të listës së kandidatëve të PS për deputetë në 12 qarqe, kryeministri Edi Rama i pyetur se çfarë kërkese apo propozimi të ri i ka bërë Dritan Lelit, tha se është e vërtetë që e ka propozuar, por ai nuk e ka parë të arsyeshme të bëhet pjesë e skuadrës dhe se me të, pa të skuadra në Vlorë do realizojë objektivin bazë.