Kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi në një deklaratë për mediat i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, pas akuzave që Rama ka hedhur ndaj drejtuesve të PDIU-së dhe komunitetit çam.
Dy ditë më parë Rama e cilësoi nga Vlora Idrizin si sekser i Çamërisë i cili ka lënë pa përfaqësuar komunitetin çam në këtë zonë.
Idrizi ka thënë se Rama ka bashkëpunuar me sekserë që nga momenti që ka qenë ministër i kulturës e deri në momentin që u zgjodh kryeministër.
“Edvin Rama nuk ka faj që kujton se të gjitha punët bëhen me sekser. Me sekser u bë ministër, me sekser kryetar bashkie, me sekser bleu Partinë Socialiste, mori pushtetin me marrëveshjen e sekserit të Serbisë, mbajti pushtetin me sekser grek, po mban peng qeverinë me oligarkët sekserë.”, ka thënë Idrizi.
Kryetari i PDIU e ka paralajmëruar Ramën se ka shumë të palara që mund të nxjerrë në lidhje me të, prandaj i ka kërkuar të bëjë kujdes kur flet për Çamërinë dhe partinë që ai drejton.
“Ti e di se sa sekserë të kam kthyer mbrapsht, dhe nga Vlora ku flet duke harruar që dhëmbët nuk janë vetëm për të kafshuar ,por dhe për të mbajtur brenda gojës, fjalët që mendja s’ti mban dot”, është shprehur Idrizi.
Idrizi ka folur gjithashtu edhe për dhunën policore që policia ka ushtruar ndaj shoqatës”Çamëria” dhe ka theksuar se nuk do ta harrojë këtë ngjarje, por do ti shkojë deri në fund .
Më tej, Shpëtim Idrizi ka përgënjeshtruar deklaratën e Ramës se në Qarkun e Vlorës, në listat e koalicionit opozitar nuk është kandiduar asnjë figurë nga komuniteti Çam, duke hedhur pretendimin se Rama nuk ka propozuar asnjëherë një çam në qarkun e Vlorës.
“Shko bëj të paktën një vizitë në Çole, ku jetojnë çamët. E ke 5 minuta nga qendra, por e ke lënë si Kandahar pa ujë e drita. Pse e ke bërë? Apo meqë janë çamë! Dhe e fundit para se të përmendësh Çamërinë dhe Shpëtim Idrizin shko deri në Kllogjer vendos një tufë lule në varrezat monumentale të viktimave Çame që i ndërtuam, ne bijtë e Çamërisë. Shko vendose një lule dhe hesht vetëm një minutë. E bën dot qirje?”
Ai i ka bërë thirrje kryeministrit të vizitojë çamët e të punojë për të drejtat e tyre duke e akuzuar se komuniteti çam nuk e ka marrë asnjëherë vëmendjen e duhur.