Kandidatja për deputete e dyta në listën e Partisë Demokratike ne Elbasan Flutura Açka, ka komentuar sulmin e disa individëve të akuzuar si pjestar të krimit të organizuar në Elbasan në ditën e verës ndaj qytetarëve dhe simpatizantëve të partisë Demokratike. Sipas znj Açka, episodi i një dite më parë ishte tregues i një fushate agresive në Elbasan, ndaj ftoi qeverinë të marrë masa që qytetarët të shkojnë të qetë te kutitë e votimit.
“Episode si ato të një dite më parë, theksoi Açka, nuk e trembin, por është një këmbanë alarmi e paralajmëruar edhe nga ambasadorja Amerikane Yuri Kim pak ditë më parë nga Elbasani.”
“U tregua si incident, por nuk është një incident, është tregues i një fushate në Elbasan që mund të rrëshkasë në zona të rrezikshme. Ne na duhet të jemi krahë qytetarëve dhe ti bindim qytetarët që në zgjedhje do të shkohet me qetësi edhe madje ti bëjmë thirrje që qeveria të mbajë përgjegjësitë e saj dhe opozita të respektohet, në mënyrë që qytetari i lirë të respektohet të shkojë në kutinë e votimit, të jetë një votim i qetë siç e meriton dhe ky qytet.
Jo nuk më frikësuan ato pamje se kemi parë pamje edhe më të tmerrshme, por ato pamje ishin një zile alarmi për këdo që merret me situatat politike, që merret me situatat e ruajtjes së rendit të kenë parasysh që në këtë qytet duhet të jenë të vëmendshme. Fakti që nga goja e ambasadores amerikane pikërisht u deklarua që ky qytet duhet të jetë në vëmendje në kohën e fushatës, në zgjedhje ditën e votimit, është shumë e qartë që vëmendja duhet të jetë maksimale në këtë qytet, pasi nuk mund të lihet në dorë, kaosit, bandave, e drejta e qytetarit të lirë sipas kushtetutës për të votuar i qetë edhe për të realizuar atë detyrë që ka ndaj demokracisë.”, u shpreh Açka.
Ndërkohë kandidatja tjetër mjekja Zheni Gjergji theksoi se si mjeke synon të shërojë plagët e thella që ka qyteti, por dhe politika në tërësi.
“Prej një jave fushata ka filluar intensivisht, ne të gjithë jemi në terren. Unë besoj se lista e PD-së është shumë dinjitoze dhe qytetare. Unë besoj se me këtë qytetari që përfaqëson ajo do të dijë të sheshojë të gjitha këto situata të pakëndshme në qytet dhe natyrisht që ne do të jemi të gjithë bashkë për të siguruar qytetarët që do të shkojnë të qetë në kutitë e votimit. Në politikë, do të shëroj plagët e thella që ka në këtë qytet mendoj se do të jenë objektivi im kryesor i fushatës politike.”, u shpreh Gjergji .
Kandidimi i shkrimtares Flutura Açka në Elbasan u konsiderua surprizë në qarqe të ndryshme.