Detaje të reja kanë dalë nga hetimet në lidhje me vrasjen e Behar Sofisë.
Pas arrestimit të autorit të dyshuar dhe zbardhjes së grupit të ekzekutorëve, sot gjykata ka vendosur ti lejë ata në qeli.
Por çfarë është zbuluar gjatë hetimit.
Pasi ka kryer vrasjen, 24-vjeçari Ernejt Shyti ka bërë një inskenim duke çaluar, për ti shpëtuar kamerave të sigurisë.
Ai mësohet se ka çaluar për disa dhjetëra metra, me qëllim që të humbë gjurmët më vonë. Po as kjo nuk e ka ndihmuar atë.
Pas konsultimit të policisë shqiptare me hetues anglezë, grupi hetimor ka dalë në përfundim se ky gjest i autorit ka qenë i inskenuar, në mënyrë që të vononte identifikimi i tij.
Ekspertiza e provave të gjetura në vendngjarje mësohet se është bërë në Britaninë e Madhe për të pasur edhe një rezultat më të saktë të ADN-së.
Shyti ka qenë duke pritur Sofinë dhe burime bëjnë me dije se në telefonin e Shytit kishte mbërritur një sms ku thuhej: ‘Sapo doli’.
Ndërkohë Leonar Xhixha ka pohuar se me Skënder Vathin janë kushërinj por nuk ka asnjë lidhje me vrasjen.
Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë arrest me burg për të katër personat e dyshuar, që u vunë në pranga në sajë të dëshmisë së dhënë nga 24-vjeçari Shyti.