Ish-kryetari i Partisë Socialiste në Berat, Çlirim Brisku i është bashkuar Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Lajmin e ka bërë të ditur, drejtuesi politik i LSI për këtë qark, Ardit Çela, i cili në një postim në Facebook e vlerëson si një socialist të ndershëm.
Çela thotë se Brisku do të koordinojë fushatën e ekipit të LSI në Berat.
“I lumtur që ekipit tonë të LSI në Berat i bashkohet edhe Çlirim Brisku. Z. Brisku ka qënë prej vitesh Kryetar i PS në Berat. Një socialist i ndershëm e me vlera. Një profesionist me përvojë të vyer politike dhe administrative. Z. Brisku do të koordinojë fushatën e ekipit tonë fitues në qytetin e Beratit. Së Bashku me Çimin do të vazhdojmë edhe me më shumë intesitet komunikimin me socialistët e Beratit, të cilët sot ndjehen të papërfaqësuar nga rilindja”, shkruan Çela.
Sipas Ardit Çelës, Rilindja ka varfëruar socialistët e Beratit. Ndërsa bëri thirrje që në 25 prill të votohet programi i LSI.
“Socialistët e Beratit janë keqtrajtuar, janë varfëruar nga rilindja dhe qeverisja e saj. Rilindja i përzuri fëmijët e socialistëve dhe gjithë shqiptarëve në emigracion dhe i ktheu ata në azilantë rrugëve të Europës. Në 25 prill, zgjedhja është e qartë, referendum popullor për të larguar rilindjen dhe për të votuar ekipin dhe programin e LSI. Të sigurt drejt 3 mandateve në Berat dhe fitores në të gjithë Shqipërinë”, mbyll postimin e tij Çela.