Shqipëri-Angli mund të vihet në rrezik për luajtjen nga arsye sigurie.
Gazeta “Panorama Sport” ka siguruar një letër konfidenciale që FSHF i ka dërguar së fundmi Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, si dhe duke vënë në dijeni Inspektoratin Urbanistik Vendor në Bashkinë e Tiranës, kryebashkiakun Erion Veliaj si dhe kryeministrin Edi Rama.
Gazeta ka mësuar se në direktivat e dhëna nga UEFA kërkohet largimi i ambienteve tregtare rreth stadiumit.
LETRA
Nisur nga direktivat që ka dhënë UEFA për ndeshjen kualifikuese të
Kupës së Botës, FSHF është vënë në lëvizje duke njoftuar dhe kërkuar nga IKMT
zbrazjen e hapësirës rreth stadiumit “Air Albania”.
Panorama Sport publikon letrën që si më poshtë citohet: “Në ambientet komerciale të këtij impianti sportiv janë instaluar biznese dhe subjekte të ndryshme, të cilat operojnë në fusha të ndryshme, kryesisht shërbime bari-kafeterie.
Paraprakisht, për ne si federatë është shumë e rëndësishme të theksojmë se prania e këtyre operatorëve i jep jetë dhe kontribuon jo vetëm në mirëqenien e bizneseve, por edhe në larmishmërinë e shërbimeve që ofron ky impiant gjigant.
Gjithsesi, me shqetësim kemi konstatuar se zgjerimi i pazakontë i bizneseve në perimetrin e stadiumit ‘Air Albania’, çdo ditë e më shumë po shndërrohet në një problematikë që del përtej zhvillimit të një biznesi, e duke u kthyer në një element penalizues dhe bllokues për funksionin bazë të këtij impianti, organizimin e ndeshjeve të futbollit.
Operatorë të ndryshëm bar-kafe kanë avancuar me ngritjen e strukturave
permanente prej hekuri dhe betoni në trotuaret e stadiumit, duke cenuar seriozisht standardet e sigurisë për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare, por në fakt,
elemente themelore sigurie për çdo organizim ndeshjeje të çdo natyre.