Punësimi në administratën shtetërore ka përparuar dukshëm në tremujorin e fundit 2020, duke rezultuar i vetmi sektor me rritje të treguesit gjatë krizës pandemike.
Sipas të dhënave nga burimet administrative mbi punësimin ( listë-pagesat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve) në tremujorin e fundit të vitit 2020 numri i të punësuarve në administratën shtetërore arriti në 182.5 mijë persona, duke u zgjeruar me rreth 10 mijë persona, në raport me tremujorin e mëparshëm (rritje 6%) dhe mbi 8 mijë persona më shumë në krahasim me fundin e 2019-s (+4.7%) .
Administrata shtetërore u zgjerua vetëm pak muaj larg zgjedhjeve të përgjithshme elektorale të vendit. Në kundërt punësimi në sektorin e biznesit dhe në atë bujqësor ka rënë, referuar listë-pagesave. INSTAT raportoi se në tremujorin e fundit në sektorin e biznesit dolën të papunë rreth 4600 persona, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sa i takon sektorit bujqësor që zë rreth 40 për qind të punësimit në vend dolën të papunë mbi 13 mijë persona, referuar të dhënave nga Anketa e Forcave të Punës.
Sektori i administratës shtetërore ka nisur të zgjerohet me ritme të larta që prej tremujorit të dytë të vitit 2018. Rritja arriti kulmin në tremujorin e fundit të vitit 2020, duke shënuar rekord që nga viti 2005, e krahasuar sipas mesatares vjetore.
Të punësuarit në shtet përbënin 16% të totalit në fund të 2020-n, nga 15% një vit më parë.
Shqipëria hyn në vendet ish komuniste që trashëgoi një ekonomi ku shteti ishte ofruesi i vetëm i punësimit deri në viti 1990. Pas këtij viti, pesha e sektorit shtetëror në ekonomi dhe punësim do të vinte në rënie nga viti në vit për shkak të adoptimit të modelit të ekonomisë së tregut.
Ulja e madhësisë së shtetit në ekonomi ishte në themel të programit të qeverive, të cilët pas vitit 2005 reduktuan më tej peshën e sektorit shtetëror në ekonomi si në pronësinë e ndërmarrjeve ashtu edhe në punësim.
Pas vitit 2008 për shkak të kushteve të reja që solli kriza ekonomike, me përgjysmimin e rritjes ekonomike dhe rënien e të ardhurave buxhetore, reformat mbi administratën publike me qëllim uljen shpenzimeve publike vijuan.
Qeveria Rama 2 synoi të çonte më tej këtë reformë, pasi numri i ministrive në shtator 2017 arriti në 11 nga 16 të tilla që ishin para zgjedhjeve. Reforma u bë më arsyetimin e një qeverisje të vogël dhe efecientë. Por teksa numri i ministrive është ulur numri i njësive shpenzimeve publike dhe numri i të punësuarve në shtet është rritur gjithashtu.
Në një analize për strukturën e ekonomisë në vendet e Ballkanit, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH, thotë se, katër sektorë janë të një rëndësie të veçantë: tregtia e brendshme, industria, administrata publike dhe bujqësia. Administrata publike është sektori i tretë më i madh ekonomik. Sektori përfshin mbrojtjen, arsimin, shërbimet sociale dhe administratën tjetër publike, dhe mesatarisht përbën 17 për qind të aktivitetit ekonomik. / B.Hoxha