BallinaEkonomiIsh-kryetar i Bordit Drejtues të AMF Pajtim Melani: Bonus-Malus është ndryshim epokal...

Ish-kryetar i Bordit Drejtues të AMF Pajtim Melani: Bonus-Malus është ndryshim epokal për tregun e sigurimeve

spot_img

Intervistë me Pajtim Melani, ish-kryetar i Bordit Drejtues të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare

Ish-kryetari i Bordit Drejtues të AMF, Pajtim Melani, thotë në një intervistë për revistën “Monitor” se projektligji “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” sjell një ndryshim epokal nëpërmjet sistemit Bonus-Malus.

Megjithëse projektligji nuk e bën të detyrueshëm këtë sistem, z. Melani mendon se ai duhet të pranohet dhe zbatohet nga të gjitha shoqëritë e sigurimit të jo-jetës, sepse në këtë mënyrë do të ngrihej një sistem më i drejtë dhe më i ndershëm për shumicën e të siguruarve. Sipas tij, ligji i ri do të ridimensionojë tregun e sigurimeve të detyrueshme në Shqipëri, për ta bërë një treg më të zhvilluar, me një sistem të drejtë të caktimit të tarifave dhe të vlerësimit e të pagesës së dëmeve.

Si e vlerësoni projektligjin e ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit, në risitë kryesore që sjell?

Projektligji i sigurimit të detyrueshëm të mjeteve motorike sjell një ndryshim epokal në tregun e sigurimeve në Shqipëri, i njohur si ligji “Bonus-Malus”, pasi vendos themelet e një sistemi të ri dhe të drejtë në siguracionet e mjeteve motorike sipas historisë së dëmeve që ka shkaktuar çdo drejtues automjeti.

Sistemi ofron një Bonus për ata që nuk kanë shkaktuar dëme vitin e kaluar, që nënkupton një ulje të primit sipas shkallëve, deri në gjysmën e asaj që paguajmë sot, dhe një “Malus”, pra një rritje të primit nëse drejtuesi i mjetit ka shkaktuar dëme, rritje që shkon deri në dyfishim të primit nga viti i kaluar.

Rritja e masës së dëmshpërblimit nga aksidentet dhe përmirësimi i procedurave të trajtimit të dëmeve përbën kolonën e dytë të rëndësishme të ligjit të ri. Së treti, sigurimi i drejtpërdrejtë, ku secili nga të siguruarit duhet t’i paguhen dëmet dhe ndiqen procedurat nga kompania e sigurimit ku ka marrë policën e sigurimit, është thembra e Akilit e ligjit të ri, që do të sjellë rritjen e konkurrencës në treg dhe për pasojë, përmirësimin e cilësisë së shërbimit dhe rënien e primeve të sigurimit.

Besoni se sistemi Bonus-Malus duhet të jetë fakultativ, siç parashikon projektligji, apo i detyrueshëm? Mendoni se kompanitë e sigurimeve do të kenë interes ta përdorin këtë sistem mbi baza vullnetare?

Në kohën e drejtimit të Bordit të AMF-së, kemi diskutuar dhe miratuar udhëzimin për të pasur gati zbatimin e sistemit Bonus-Malus, duke krijuar seritë kohore për dëmet e shkaktuara gjatë 5 viteve të fundit. Zbatimi i sistemit duhet të kuptohet drejt, pranohet dhe zbatohet nga të gjitha shoqëritë e sigurimit të jo-jetës, sepse vetëm në këtë mënyrë do të ishte funksional dhe do të sillte një sistem më të drejtë dhe më të ndershëm për shumicën e mbi 420 mijë të siguruarve.

Ndërkohë që për shkaktarët e dëmeve, primet do të rriten deri në dy herë dhe në këtë mënyrë, do të jenë më të përgjegjshëm për të mos shkaktuar dëme. Sistemi mund të ndërlikohet për shkak se ndahet në 14-16 klasa, por është e detyrueshme që çdo i siguruar duhet të klasifikohet nga sistemi në të njëjtën klasë nga të gjitha shoqëritë e sigurimit, pasi përndryshe të gjithë shkaktarët e dëmeve do të shkonin te shoqëria, që nuk do të zbatonte sistemin dhe në këtë mënyrë, do të riktheheshin te sistemi ekzistues.

Caktimi i primit të sigurimit të makinave me bazë risku nënkupton edhe funksionimin normal dhe në konkurrencë efektive të tregut, me çmime të ndryshme për risqe të ndryshme, si dhe drejtuesit e automjeteve që kanë makina me motorë të një shkalle më të vogël, duhet të paguajnë prime më të ulëta, krahasuar me ata që kanë makina me motorë të fuqishëm.

Cili është mendimi juaj mbi limitet e reja të përgjegjësive të parashikuara në projektligj?

Projektligji ka detajuar dëmet sipas shkallëve dhe sjell rritje të dëmshpërblimit për personat e prekur nga aksidentet e shkaktuara nga mjetet rrugore.

Ligji ka parashikuar një rritje të kufirit minimal të përgjegjësisë, që mbulohet nga kontrata e sigurimit, lidhur me dëme pasurore dhe jopasurore, me pasojë vdekjen, dëmtime shëndetësore dhe përkeqësime të shëndetit, të shkaktuara nga një aksident ose seri aksidentesh të ardhura nga një ngjarje sigurimi.

Rritja e dëmeve që do të paguajnë kompanitë e sigurimit është një nga risitë më të rëndësishme të ligjit të ri. Ligji synon uljen e shpenzimeve të marrjes në sigurim, rritjen e masës së dëmshpërblimit dhe përmirësimin e procedurave dhe afatet e trajtimit të kërkesave për dëmshpërblim nga shoqëritë e sigurimit, në mënyrë që të shmangen problematikat dhe rastet abuzive që janë hasur deri më sot në trajtimin e kërkesave për dëmshpërblim, si dhe procesi i dëmshpërblimit të jetë sa më transparent për përfituesin.

Në nenin 10 të projektligjit, në mënyrë që të shmangen rastet abuzive, si dhe procesi i dëmshpërblimit të jetë sa më transparent për përfituesin, është parashikuar se shoqëria e sigurimit duhet të kryejë pagesën e dëmshpërblimit në llogarinë bankare personale të të dëmtuarit ose përfituesit.

Besoni se organizimi i Fondit të Kompensimit, siç parashikohet në projektligj, do ta bëjë këtë fond më funksional?

Ndryshim i rëndësishëm i ligjit është mënyra e funksionimit të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve, duke ndarë trajtimin e dëmeve të Fondit të Kompensimit (dëmet e shkaktuara nga mjete të pasigururara/të paidentifikuara etj.) nga dëmet e kartonit jeshil që rregullohen me marrëveshjet me Byronë Europiane të Sigurimeve. Ligji hedh shtratin kryesor që më pas duhet të plotësohet me aktet nënligjore dhe rregullative, për ta kthyer në funksionalitet institucionin për trajtimin me eficiencë të fondit të kompensimit, për të zhbllokuar llogaritë bankare për trajtimin e dëmeve të shkaktuara nga mjete të pasiguruara ose të paidentifikuara, ose me targa të huaja etj.

Ligji i ri, në tërësinë e tij, besoj se do të ridimensionojë dhe zhvillojë në mënyrë të qëndrueshme tregun e sigurimeve të detyrueshme në Shqipëri, duke e zhvilluar me një sistem të drejtë të caktimit të tarifave të sigurimit dhe të ndershëm të vlerësimit dhe pagesës së dëmeve, si dhe me rikthimin në funksionim të plotë të Fondit të Kompensimit; këto do të përbëjnë bazat e tregut për dhjetëvjeçarin e ardhshëm. Monitor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular