Kryeministri britanik, Boris Johnson shkaktoi shumë zhurmë në vendin e tij pasi deklaroi se suksesi me vaksinat erdhi si triumf i kapitalizmit dhe lakmisë.
Në një takim privat me deputetët konservatorë, Johnson vlerësoi firmat e mëdha farmaceutike që prodhuan vaksinën kaq shpejt.
“Arsyeja se kemi këtë sukses të vaksinës është për shkak të kapitalizmit, për shkak të babëzisë miqtë e mi”, tha Johnson.
Më vonë Johnson tha se i vjen keq për komentet e tij dhe u kërkoi deputetëve që të harrojnë atë që kishte thënë.
Një burim qeveritar tha për BBC se kryeministri po i referohej faktit se nxitja për përfitim i ka bërë kompanitë që të prodhojnë produkte të reja.
Kryeministri po ashtu vlerësoi punën e bërë nga kompanitë e mëdha të ilaçeve gjatë pandemisë.
Britania e Madhe është në pararojë të vaksinimit në botë. Megjithatë ky vend është përfshirë në përplasje të ashpra me Bashkimin Europian për çështjen e vaksinave.