Nëse dhimbja njerëzore, skandalet dhe korrupsioni me jetët e qytetarëve do kërkonte një vend, padyshim që do e gjente në QSUT (Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’). Pas skandalit të mbajtjes për 70 ditë në morg të një qytetari, pasi kishte ndërruar jetë në Spitalin Infektiv, por nuk lajmeroheshin familjarët, të tjera ngjarje makabër shënohen nga ky institucion shëndetësor.
Boldnews.al disponon dokumentacione që një person edhe pasi ka ndërruar jetë në Spitalin Infektiv, i prekur nga Covid-19, vijon që të “ushqehet”. Kjo çudi që zhbën ligjet e natyrës apo të Zotit, ndodh në QSUT.
Boldnews.al i ka të dhënat e plota mbi pacientin dhe rastin, por për arsye etike ka vendosur që të mbulojë identitetin, duke iu përmbajtur vetëm të dhënave që tregojnë se sipas QSUT-së, edhe një i vdekur ushqehet, madje me tre vafte në ditë…
Sipas gazetës Panorama.al, Pandemia ka shtuar precedentët, por edhe kallëzimet e të afërmve në Polici, të cilët përveç humbjes së të dashurve të tyre për shkak të koronavirusit u është dashur të enden lart e poshtë për të marrë sendet e tyre personale.
Shumica prej kallëzimeve kanë të bëjnë me humbje telefonash, ku pacientët pasi kanë ndërruar jetë, nuk i janë kthyer celularët. Më shumë se sa vlera e telefonit, për të afërmit e tyre ka rëndësi vlera e paçmueshme. Në shumicën prej kallëzimeve, familjarët deklarojnë se në telefonat e humbur ka shumë kujtime që ata kanë me të afërmin e tyre. Nuk mungojnë as rastet kur pacientët i kanë humbur portofolat, ku kanë pasur brenda shuma të konsiderueshme parash.
Të gjitha abuzimet në spitalet COVID janë zbuluar përmes denoncimeve mediatike apo emisioneve investigative. Rasti më i rëndë është edhe ai sanitares Tire Alldervishi, e cila për përkujdesjen e një pacienteje gjatë kohës që ka qenë e shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”, i ka marrë vajzës së saj 8 milionë lekë të vjetra.
Por, pas “zbërthimit” të Tires, erdhën edhe arrestimet e katër punonjësve të tjerë, të cilët u liruan pas disa ditësh. Sikur të mos mjaftonin skandalet me ryshfete e vjedhje, të tjera hije dyshimi mbi sjelljen e personelit shëndetësor mbi “të pafuqishmit” që shkojnë aty për të shpëtuar, dolën në dritë ditë më vonë. pakkush i ka harruar fytyrat e dëshpëruara të dy vajzave që humbën të atin e tyre Rifat Lalo vetëm disa orë pasi e dërguan në Spitalin Infektiv.
Me denoncimin në media, ato jo vetëm që nuk u lanë të mbanin zi siç duhet, u desh që të përballeshin edhe me kallëzimin penal që u ngrit kundrejt tyre me pretendimin se kishin fyer bluzat e bardha, konkretisht mjeken që e ndoqi të atin. Brenda së njëjtës ditë, një tjetër rast abuzimi u shënua, ku një grua denonconte humbjen e sendeve personale pas transferimit nga një spital në tjetrin.
Ato, arriti t’i merrte vetëm pas denoncimit publik, që vuri në lëvizje personelin mbështetës të punësuar pranë spitalit. Një rast i ngjashëm, por i dënueshëm aktualisht me burg, është ai i vjedhjes së portofolit nga infermierja Ronida Hysi, e cila më pas ka tërhequr një shumë të caktuar në bankomat. E gjitha kjo është dëshmuar nga pamjet filmike, të cilat çuan pas hekurave të renë e sapopunësuar në Spitalin Infektiv.
Skandali i fundit në spitalin e Vlorës ku vajza dërgoi të atin për t’u trajtuar dhe nuk mori vesh më gjë për të për muaj të tërë është i paprecedent në historinë e spitaleve shqiptare, por jo i vetmi.
… [Trackback]
[…] Find More on that Topic: startnews.news/2021/03/25/dhjetera-kallezime-tronditese-qsut-u-jep-ushqim-te-vdekurve/ […]
Comments are closed.