Nga Elona Caslli
Në këtë Shqipëri të çoroditur, të turbullt dhe të marrë, Arian Sala do të na jepte mesazhin më të madh, si për të na treguar pasqyrën ku nuk duam të shihemi, pasi atje reflektohet shëmtia jonë.
Paaftësia për të parë përtej vetes na ka degdisur në humnerat e thella të vesit, nga ku nuk po dimë si të dalim.
E në mes të shkretëtirës e flakëve, zëri i Arian Salës thërret- Përtej meje ka jetë…
Përtej meje është jeta e një gruaje që duhet të kthehet në shtëpi tek fëmijët e saj. Ata po e presin- tha Ariani.
Përtej meje është jeta e një burri që pret t’i kthehet djali nga mërgimi një ditë- tha Ariani
Përtej meje është jeta e një djali që kur mori rrogën e parë, na qerasi të gjithëve me një tortë.
Arian Sala numëroi 25 jetë përtej jetës së tij. Kapërceu jetën e tij dhe zbriti në jetën e 25 njerëzve të tjerë.
Teksa kthehej në jetën e tij, pasi kish vizituar 25 jetë të tjera mbylli sytë.
Post Scriptum- Nëse do të isha skulptore do të gdhendja fytyrën e Arianit dhe skulptura nuk do të mbante emrin e Arianit, por mesazhin që gjunjëzoi dhe tronditi një komb të sëmurë moralisht- Përtej meje, ka jetë…