Është nxjerrë i pajetë trupi i 32-vjeçarit Arjan Sala, i cili mbeti i bllokuar pas zjarrit që ra në një magazinë tek “Casa Italia”.
Sipas policisë, si rezultat i kërkimeve intensive, të pandërprera, nga zjarrfikësit dhe shërbimet e Policisë, mëngjesin e sotëm zjarrfikësit bënë të mundur gjetjen e trupit të pajetë që dyshohet se i përket shtetasit Arjan Sala.
Raportohet se trupi është parë nga xhaxhai i 32-vjeçarit dhe më pas është dërguar në morg. Trupi ka disa djegie në pjesë të ndryshme, por si strukturë është e rregullt.
Sala ishte me detyrë punonjës i shërbimit të sigurisë të një kompanie private. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë e rrethanave të ngjarjes.