Spitalet shtetërore në Berlin kanë ndalur vaksinimin me AstraZeneca për gratë nën 55 vjeç.
Një zëdhënëse e spitaleve tha se vendimi ka ardhur pas disa rasteve me mpiksje gjaku dhe disa vdekjeve pas vaksinimit, kryesisht te gratë e reja. Ajo tha se ka pasur edhe raste me hemorragji. Vendimi vjen një ditë pasi Kanadaja vendosi të pezullojë përdorimin e vaksinës së AstraZeneca te të gjithë personat nën 55 vjeç.
Vendimi erdhi pas rasteve me mpiksje fatale të gjakut. Një zëdhënës i Komisionit të Imunizimit tha se ka pasur pasiguri sa i përket përfitimeve të kësaj vaksine te personat nën 55 vjeç.
Shkencëtarët besojnë se kanë zbuluar arsyen se përse disa persona nën 55 vjeç pësojnë mpiksje gjaku pasi marrin vaksinën e AstraZeneca.
Kujtojmë se fillimisht vaksina e AstraZeneca nuk u lejua të përdorej për personat mbi 65 vjeç, pas dyshimeve se nuk është efektive.