Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një komunikim me gazetarët, i ka bërë thirrje partive politike dhe kandidatëve të tyre që të zhvillojnë një fushatë të qetë, e të mos ushtrojnë presione ndaj qytetarëve për orientimin e votës.
“Kjo thirrje vlen për partitë politike, kandidatët. Çfarë vlen për të korrigjuar, duhet ta bëjmë me qëllim që këto zgjedhje jo vetëm të jenë më të mira se zgjedhjet e shkuara, por në përputhje me standardet. Jemi të gjithë të vëzhguar, në fund të ditës, për secilin nga ne do të ketë gjykim. Përgjegjësit për mospërmbushjen e Kodin Zgjedhor, do e mbajë përgjegjësinë dhe do të paraqitet në sanksionet përkatëse. Bëj thirrje partive politike dhe kandidatëve të bëjnë një fushatë të qetë dhe të lejohen qytetarët të zgjedhin kë të dëshirojnë”, u shpreh Komisioneri Shtetëror.
Me vendimin e ri të Kolegjit Zgjedhor, fletët e votimit në zgjedhjet e 25 prillit, do të identifikojnë kandidatët me numra. Për të mos krijuar konfuzion, Celibashi sqaroi se jashtë qendrave të votimit do të vendosen postera të mëdha, ku shfaqen kandidatët dhe numri i tyre përkatës. Po ashtu, edhe në dhomën e fshehtësisë do të ketë fletëpalosje ku shfaqen kandidatët dhe numrat e tyre. “Pyetjes tuaj po i përgjigjem se si do të votojë një zgjedhës në fletën e votimit. Është e qartë që nuk do të jenë emrat në fletën e votimit, por numrat, tregojnë kandidatët e renditur sipas renditjes së partisë. Votuesit para se të shkojnë për të votuar duhet të kenë të qartë numrin e kandidatit dhe personit që do të zgjedhë. Në çdo qendër votimi do të vendosim postera të mëdhenj, ku tregohen numri që ka secili prej kandidatëve, do të vendosim fletëpalosje në dhomën e fshehtësisë. Nëse votuesi do të konfuzionohet, mund ta konsultojë edhe njëherë informacionin me fletëpalosjen që do të jetë në dhomën e fshehtësisë. Një votues, mund të zgjedhë partinë politike ose koalicionin dhe një kandidat të kësaj partie apo koalicionit, nuk zgjedh dot dy. Nuk mund të zgjedhë një parti apo koalicion dhe kandidatin e një partie apo koalicioni tjetër. Edhe nëse zgjedh partinë apo koalicionin dhe jo deputetët është e vlefshme. Është e vlefshme edhe nëse zgjedh vetëm kandidat, e nuk zgjedh partinë apo koalicionin”, tha Celibashi.