Kryedemokrati Lulzim Basha, në një takim me banorët e Njësisë 3 në kryeqytet, tha se vendimi i parë që do të marrë pas 25 prillit, do të jetë rimbursimi i familjeve që kanë shpenzuar shumë para për t’u kuruar nga COVID-19. Basha theksoi se COVID-19 ka shkatërruar shumë familje shqiptare, e sipas tij, është detyrë e qeverisë për të rimbursuar qytetarët.
“Me siguri si çdo familje s’keni marrë rimbursim. Po ecja para se të vija këtu dhe u futa në farmaci, shpenzimet që familjet shqiptare kanë bërë për t’u kuruar vetë nga korona i ka shkatërruar tërësisht. Gjëja e parë që PD do të bëjë është që do të rimbursojë të gjitha shpenzimet që janë bërë nga kurimi i COVID-19. Është një peshë e jashtëzakonshme e buxhetit të familjeve. Po ata që paguajnë oksigjenin, skanerin, bëjnë disa analiza. Një çift prej dy vetash, të moshuar, që takova para disa vitesh thanë kemi shpenzuar 2.5 milionë lekë të vjetra për t’u kuruar. E përsëris serish, gjëja e parë që PD do të bëjë kur të kthehet në pushtet do të jetë miratimi i një pakete rimbursimi për familjet që janë kuruar në shtëpi nga COVID”, tha Basha.